Berlin, 18 janar – Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Shpan deklaroi se edhe krahas efektit të dukshëm të masave për parandalimin e virusit korona, duhet të bëhet më shumë që të mbahet nën kontroll të vazhdueshme.
“Duket se numri i (infeksioneve) po ulet, që është mirë, por megjithatë jemi larg vendit ku duam të jemi”, deklaroi Shpan për televizionin ARD.
Kancelarja Angela Merkel dhe kryeministrat e 16 krahinave pritet që nesër të bisedojnë për hapat e mëtutjeshëm.
“Në ditët e fundit, numri i të saposëmurëve po ulet, si dhe numri i hospitalizimeve në repartet për kujdes intensiv për pacientë me Kovid-19”, tha ministri Shpan.
Ministri i Financave, Olaf Sholc tha se “mbyllja” e shtetit mund të vazhdohet për dy javë, deri në mes të shkurtit.
Diskutohet për kërkesa më të rrepta për kompanitë, tu lejojnë të punësuarve të tyre të punojnë nga shtëpia, mbajtjen e obligueshme të maskave në rajone të ndara, kufizime të transportit publik dhe vendosjen e orës policore.
Sipas “Gardian”, ministri i Punëve të Jashtme, Hajko Mas ka propozuar që të vaksinuarve tu lejohet të vizitojnë restorante dhe kinema.
Ministrat tjerë kundërshtojnë të drejtat e këtilla të posaçme, duke u frikësuar se mund të shkaktojnë pakënaqësi sociale në kohë kur secili nuk ka mundësi të vaksinohet.