Berlin, 28 janar – Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Shpan, sot njoftoi se pret që mungesa aktuale e vaksinave kundër virusit korona të vazhdojë deri në prill, pasi qeveria u përball me kritika të shumta për shpejtësinë e programit për vaksinim, ndërsa gazeta gjermane “Bild” problemet rreth furnizimit të vaksinave i quajti “skandaloze”.
“Do të kemi të paktën edhe 10 javë të rënda me mungesën e vaksinave”, shkroi Shpan në Tuiter, i transmetuar nga mediat britanike.
Ministri gjerman tha se dëshiron të organizojë mbledhje me kompanitë farmaceutike dhe prodhuesit e vaksinave që të sigurohet se Evropa do t’i marrë dërgesat e dakorduara dhe të konfirmojë se ku mund të bëhet mbështetje më e madhe.
Është siguruar, tha, se prodhimtaria e vaksinave është proces shumë i komplikuar dhe se nuk mund të bëhet për vetëm disa javë, nëse më shumë duhet të përmbushen standardet për cilësi.
Të martën, Shpan e mbështeti propozimin e Bashkimit Evropian për vendosjen e regjistrit të vetëm eksportues për vaksinat kundër Kovid-19, sepse tensionet mes “AstraZeneka” dhe “Fajzer” për çdo ditë rriten për shkak të rënies drastike të dërgesave vetëm një muaj pasi Unioni filloi t’i vaksinojë qytetarët.
Gjermania sot njoftoi për 17.553 raste të reja me virus korona dhe edhe 941 raste të vdekjes, ndërsa ministri tha se është inkurajuese që numri i rasteve të reja po ulet, dhe se nëse vazhdon ky trend, shkollat dhe kopshtet duhet të jenë të parat që përsëri do të hapen pas “mbylljes”, që është paraparë të zgjasë deri më 14 shkurt, njoftuan mediat britanike.