Berlin, 13 janar – Gjermania nuk do të jetë në gjendje të heqë të gjitha masat për të parandaluar përhapjen e koronavirusit në fillim të shkurtit, kumtoi ministri i Shëndetësisë, Jens Shpan, duke theksuar nevojën për të zvogëluar më tej kontaktet, me qëllim që vendi të mbrohet kundër llojit të ri më infektues të koronavirusit.
“Një gjë është e sigurtë tani, më 1 shkurt nuk do të jetë e mundur të lehtësohen të gjitha kufizimet që janë në fuqi”, deklaroi Shpan sot për radiostacionin gjerman “Dojçlland Fank”, duke shtuar se do të duhen edhe dy deri tre muaj për të parë efektet e fushatës së vaksinimit që po zbatohet, njoftojnë mediat britanike.
Tabloidi gjerman “Billd” njoftoi dje se kancelarja Angela Merkel, gjatë takimit me deputetë nga partia e saj, tha se mbyllja aktuale mund të zgjasë deri në fillim të prillit.
Kabineti gjerman do të takohet sot për të miratuar kontrolle më të rrepta mbi ata që hyjnë në vend, pasi e përforcua bllokada kombëtare javën e kaluar dhe u zgjat deri në fund të janarit.
Rregullat e reja do të imponojnë që personat që vijnë nga vende me shkallë të lartë të infeksionit ose ku ka një lloj të ri, më infektues të koronavirusit, të bëjnë test për Kovid-19.
Instituti për sëmundje infektive “Robert Koh”, sot informoi për 19.600 infeksione të reja, ndërsa numri i të vdekurve u rrit për 1.060 dhe tani është 42.637, thuhet në kumtesën e këtij instituti.