Adem XHELADINI
Kërçovë, 12 mars – Familjarë, bashkëvendas, qytetarë të Kërçovës, familje të dëshmorëve, e veprimtarë të shumtë të udhës së lirisë, kishin shtegtuar nga të gjithë cepat e Ilirisë, për të qenë pjesë e shpalosjes së pllakës përkujtimore të Ruzhdi Veliut-Jehoni, në varrezat e fshatit Kollarë. Pas intonimit të himnit kombëtar, Ali Ahmeti, ish komandant i UÇK dhe tani në krye të BDI-së, Osman Veliu (i biri i Ruzhdi Veliut), Avni Dehari, Fatmir Brajshori, Fatmir Limani e Ramiz Lladrovci bashkë me shokë, bënë shpalosjen e pllakës përkujtimore të veprimtarit-dëshmor, eshtrat e të cilit pas plot 14 vitesh më 2015 u sollën të prehen në vendlindjen e tij në fshatin Kollarë të Kërçovës, pranë varrit të nënës së tij, e cila për sa qe gjallë, kishte përjetuar të gjitha golgotat e shkelësve të çizmeve pushtuese të këtyre tokave përplot vuajtje e plagë, e që nuk kishte reshtur së kërkuari birin e saj gjer në frymën e fundit.
Evokimi i z.Ali Ahmetit
Në evokimin e rastit, duke iu drejtuar të pranishmëve në emër të familjarëve të Ruzhdi Veliut, Ali Ahmeti, nën emocione do të potencojë se “ do të ndajë me ju një çast tejet të dhimbshëm, të cilin e kam përjetuar rëndë, kur dy vite nuk vizitova dajët e mi, sepse e dija që nga nëna e Ruzhdiut, do t’më bëhej pashmangshëm një pyetje, për të cilën nuk kisha përgjigje. Pasi më pyeti, i them se ne bëjmë përpjekje që ta gjejmë, dhe lija të kuptohet që ai është i gjallë. Ajo, duke më dëgjuar me vëmendje si një malësore, dhe nënë e shumëvuajtur, më tha: “Unë kam varrosur trima, që plumbi i kishte marrë në ballë, në fronte, si vjehrrin dhe kunatin e zhdukur, tani e gjashtëdhjetë vite. Kam varrosur nënën, të vrarë nga granatat më 1944. Jam nënë e përjetuar, prandaj çka do që të ketë ndodhur me Ruzhdiun, ma thoni, se dua ta di të vërtetën dhe në këtë moshë nuk dua të ik, pa ditur se ku kam djalin. Bëhuni më të fortë dhe më thuani të vërtetën. Të vërtetën nuk e thamë, sepse edhe ne nuk e dinim, por nuk reshtëm së kërkuari, deri në gjetjen dhe sjelljen e tij këtu pranë nënës së tij, por ajo tashmë kishte ndërruar jetë, po djalin ia sollëm pranë”, evokoi çastet nga biseda me nënën e Ruzhdi Veliut, ish komandanti i UÇK-së dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Duke iu drejtuar të pranishmëve, në emër të SHVL UÇK-së, Fatmir Limani (i biri i dëshmorit Beqir Limani), përpara të pranishmëve shpalosi veprimtarinë e këtij guerilasi të ditëve të përpjekjeve për liri. Në fjalimin e tij, ai theksoi se “ një rini e parinuar, e lënë amanet në viset tona, eci edhe një shtegtar i lirisë Ruzhdi Veliu-Jehoni, duke vazhduar kësisoj traditën e të parëve, i përbetuar gjer në flijim për çështjen e pazgjidhur të shqiptarëve, duke u vënë në mbrojtje të pragut të shtëpisë, vendlindjes, Atdheut, për t’u dalë zot në kohëra të vështira. Tani, në vend që të flasë ai mbi dhe për ne, flasim ne të mbijetuarit për atë nën dhe! S’ka penë që mund ta shënojnë këtë ngjarje pa ngjasim në këtë anë“, ka theksuar mes tjerash veprimtari Fatmir Limani.
Kush ishte Ruzhdi Veliu – Jehoni
I lindur më 1970, qysh në moshë të re, 11 vjeç, Ruzhdi Veliu,u detyrua të përballej me krajatat e kohës, që kishin vënë nën lëngatë copëza të Atdheut, dhe duke ia ngarkuar në shpinë peshën e mbajtjes së familjes që i kishte mbetur pas largimit të vëllait të tij Qysh në shkollë fillore, e gjejmë të organizuar në përpjekjet për të nxjerrë në pah padrejtësinë e kohës, udhë që do ta vazhdojë edhe përgjatë shkollimit të mesëm në Gostivar. Nuk do të reshtë së vepruari, duke shpërndarë pamflete, duke shkruar parulla, duke demonstruar kundër të gjitha padrejtësive që u bëheshin shqiptarëve nga çizmet e rënda të pushtuesit. Dashuria për të bërë të pamundurën të mundur, e detyroi të ecë, qëndrojë, punojë, e veprojë, pa ndalur si një Sizif i ri, i cili gjatë viteve 1996/97 i bashkëngjitet Këshillit Popullor të Lëvizjes Popullore të Kosovës. Hyri padiktueshëm në radhët e saj, pasi kishte drojën për vëllain më të madh, mos ia dëmtonin armiqtë dhe bashkëpunëtorët e tyre. Arriti në mesin e mërgimtarëve – me padurim, duke u çmallur dhe marrë literaturë revolucionare, ishte shumë i ri, pa mbushur vitin e marrjes së përgjegjësisë – 18 vjeçare, kur u takua me veprimtarët e Betimit të Madh Kombëtar. Njërin nga ata, më të ri se ai vetë, Edmond Hoxhën, e përqafoi në Akademinë përkujtimore, e cila u organizua në Cyrih të Zvicrës, kushtuar dëshmorëve të veprimtarisë Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zekës. Nuk mund të përmbaheshin nga gëzimi, adhurimi dhe gatishmëria për t’u matur me burrat e Atdheut. Përsëri vjen në vendlindje, duke sjellë mesazhet e të mërguarve dhe Zërin e Kosovës. Aty i priste dhe përcillte pandalshëm Baca Beqë (Beqir Limani), që kujdesej si për fëmijët e tij. Asokohe, veprimtaria e Uskanës (Kërçovës) matej me veprimtarinë mbarëkombëtare: Kosovë, Luginë e Preshevës, Ulqin, Malësi e Shqipëri. Në prill të vitit 1993 në Kollarë do të organizohet mbledhja konsultative e Lëvizjes Popullore të Kosovës, në të cilën do të merrnin pjesë Ali Ahmeti, Gafurr Elshani, Ahmet Haxhiu, Adnan Asllani, Bilall Sherifi, Hidajete Krasniqi, Fadil Bajrami, Musa Demiri, Bexhet Luzha, Fatmir Brajshori etj., ndërsa përgjegjësinë për sigurimin e kësaj mbledhjeje ia kishin besuar Lirim Ukës, i cili kishte përcaktuar 5 pika rojesh në pozita të ndryshme të fshatit dhe përreth tij. Jehonit i kishte rënë për hise njëra nga dy pikat e rojës në hyrje të fshatit nga drejtimi i Kërçovës te vendi i quajtur “mulliri i vjetër”. Nga ky rast përmes shndërrimit të këshillave popullorë në njësite guerile, Jehoni u bë pjesë e gueriles, e cila në këtë fazë do të merrej me sigurimin dhe furnizimin me armatim të të gjitha njësiteve që operonin këtu, në Kosovë dhe Preshevë. Pasoi ndjekja dhe arrestimi në anën e Tetovës, burgosja e Jehonit me Halim e Atom Krasniqin, Bexhet Luzhën dhe Fekri Ahmetin. Disa nga shokët vuajtën dënimin në burgun e Idrizovës, ndërkohë që Jehoni do të vuante në burgun e Ohrit, ku motrave do t’u shkruante vargjet: “ Edhe pse me trup jam në burg… Gjithmonë me zemër e mendje jam afër jush, të dashurit e mi! Ardhmëria – jonë, Ruzhdiu 17 nëntor, 1995 burgu i Ohrit.“ Jehoni (Ruzhdi Veliu) ishte në Njësitin e gueriles, udhëhequr nga Beqir Limani-Beqa, të cilët prisnin e përcillnin veprimtarët – nga Struga, drejt Kërçovës, Gostivarit, Tetovës, për të marrë pjesë në Mbledhjen e Përgjithshme në Prishtinë, fundi i korrikut – fillimi i gushtit të vitit 1993. Shtati i tij po lartësohej. Përsëri ndjekje e dyfishtë si veprimtar dhe pararojë e vëllaut dhe nipit nga Zajazi. Grackë, më 20 gusht, 2001 ora 11:00 në Botun të Strugës. E lejuan që të vazhdojë, për t’ia bërë arrestimin në kthim drejt vendlindjes, ora 15:00. Të maskuarit, çizmerëndë e rrëmbyen dhe ia humbën gjurmët. Që atë kohë, për katërmbëdhjetë vite, eshtrat e tij nuk do të reshten së kërkuari për t’u gjetur deri në fund dhe për t’u sjellë tashmë të prehen në marsin e vitit 2015 pranë nënës së tij.
Ruzhdi Veliu-Jehoni, ishte shpresa jo vetëm e familjes, por edhe e atdhetarëve dhe luftëtarëve të lirisë. Ai do të ishte vazhduesi i veprimtarisë sonë për bashkim kombëtar. Tashmë ai prehet në lëndinën e Grykës së Kollarës, aty ku tymnajat e kohës dhe ushtima e armëve lanë gjurmë të pashlyeshme në paepësinë e qenies shqiptare të këtyre trojeve, përgjatë viteve të përpjekjeve për liri dhe dinjitet, për pragun e lirë dhe frymë vetanake, për të vazhduar shekujt e mbijetesës. Në përmbyllje të shënimit të ngritjes së pllakës përkujtimore në dyvjetorin e sjelljes së eshtrave të Ruzhdi Veliut-Jehonit, në vendlindjen e tij në fshatin Kollarë, tek varri i tij, të pranishmit vendosën kurora të freskëta lulesh, për të nderuar veprën e tij sa të lavdishme dhe po aq të përjetshme.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.