Shkup, 28 tetor – Reformimi administratës është një nga kriteret që duhet të plotësojë Maqedonia për procesin e integrimit të vendit. Kështu thonë zyrtarë qeveritar, sipas të cilëve, në përfundim e sipër është Strategjia për adoptimin e punës së administratës me nevojat dhe kryerjen sa më shpejtë dhe sa më cilësore të shërbimeve ndaj qytetarëve, shkruan gazeta KOHA.
Me këtë rast, Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës ka shpalosur planin për realizimin e reformave në këtë sektor, me ç’rast parashihet ulja e numrit të institucioneve, si dhe të disa drejtorive, në mënyrë që të ulen shpenzimet në administratën publike. Damjan Mancevski, i cili drejton dikasterin e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, është zotuar se nuk do të largohen punonjësit administrativë, por ata do të zhvendosen në institucione përkatëse, me qëllim që të rritet cilësia e shërbimit për qytetarët.
Administrata publike është kritikuar në vazhdimësi nga ana e faktorit ndërkombëtar pikërisht për shkak të ndërhyrjes së politikës gjatë punësimeve në këtë sektor si dhe numrit të madh të të punësuarve. Të dhënat zyrtare tregojnë se administrata e Maqedonisë numëron rreth 130 mijë persona në 1.299 institucione të shtetit. (koha.mk)