Një tunizian është shpallur fajtor nga një gjykatë në Sicili, Itali, për akuzat se e ka shkaktuar fundosjen e një anije në të cilën u mbyten 700 emigrantë në prill të vitit 2015. Mohammed Ali Malek, i cili akuzohet se ishte kapiten i anijes, përballet me 18 vjet burg. Ai, po ashtu është dënuar për vrasje pa paramendim dhe trafikim me njerëz. Ndërkohë, një sirian është dënuar me pesë vjet burg. Anija e mbipopulluar me njerëz u fundos në Mesdhe, pasi që u ndesh me një anije tregtare që kishte ardhur për t’i shpëtuar emigrantët në të. Vetëm 28 persona i mbijetuan kësaj fatkeqësie. Malek i ka mohuar akuzat, duke pohuar se nuk ka qenë kapiten i anijes.