Evis HALILI
Shkup, 24 janar – Promovimet do të jenë kryefjala e ngjarjeve të kulturës që do të zhvillohen këtë vit me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, shkruan gazeta KOHA. Jo vetëm se kështu u paralajmërua nga ky institucion, por sipas rezultateve të Programit vjetor që janë publikuar në faqen zyrtare të ministrisë mund të shihet se lista më e gjatë dhe numri më i madh i projekteve fituese është pikërisht tek veprimtaria botuese. Autorët dhe shtëpitë botuese, institucionet, shoqatat e të tjera zënë një vend të konsiderueshëm në programin e këtij viti, sidomos nëse krahasohet me ato të tjerat, kur projektet fituese u reduktuan në maksimum me kriteret e vendosura që skualifikonin që në start konkurrimin, por edhe privonin individët që të konkurronin veçmas. Nëse botuesit dhe krijuesit çdo vit kanë qenë zhurmuesit më të mëdhenj të rezultateve të Konkursit vjetor, projektet e miratuara këtë vit kanë fashitur çdo reagim të mundshëm, përveç se asaj që mund të lidhet me shumat që do të akordojë Ministria për çdo projekt në veçanti. Se me sa do të financohet çdo projekt ende nuk dihet, pasi shifrat bëhen zyrtare pas shpalljes së fituesve dhe nënshkrimit të kontratës me ministrinë. Vitet e kaluara ankesat më të mëdha kanë qenë lidhur me të hollat e akorduara, të cilat nuk kanë pasur shumë dallime nga autori në autor dhe nga libri në libër.
Ajo që vihet re në rezultatet e shpallura është se numri i autorëve që kanë konkurruar individualisht është pothuajse i barabartë me atë të shtëpive botuese, shoqatave dhe institucioneve të tjera. Emrat më pak të njohur, apo të panjohur që konkurrojnë për herë të parë janë në numër të konsiderueshëm, po ashtu si edhe vepra të cilat kanë qenë punime me të cilat autorët kanë mbrojtur studimet pasuniversitare në nivele të ndryshme. Shtëpitë botuese, kanë fituar thuajse të gjitha projekte. Ajo që bie në sy është një numër thuajse i barabartë i projekteve, mesatarisht 3 deri katër, numër ky i njëjtë me projektet që i janë miratuar edhe disa shoqatave të tjera, klubeve e kështu me radhë. E njëjta gjë vlen edhe për pjesën maqedonase. Shtëpi botuese me numra rekord janë ato si Matica Makedonska, që numëron 13 projekte, Makavej, Makedonika Litera me nga 10 e të tjera. Autorët shqiptarë që kanë konkurruara përmes shoqatave apo shtëpive botuese maqedonase po ashtu janë më në numër sesa vitet e kaluara. Karakteristike për projektet e pjesës shqiptare edhe për këtë vit ishte aplikimi me projekte që dominojnë sektorët të njëjtë ashtu si edhe vite më parë, si botimet, muzika, folklori. Gjithsej konkurrohet në shtatë sektorë, Botimet, Veprimtaria ndërkombëtare, Mbrojtja e trashëgimisë, Eurointegrimet, Veprimtaria Dramatike, Veprimtaria Muziko-Skenike dhe Folklori, Artet Vizuale, Arkitektura dhe Dizajni.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.