Ministrja e Kulturës, Irena Stefoska, gjatë prezantimit ka vënë në dukje një sërë vërejtjesh lidhur me aplikantët, mes tyre edhe institucionet shtetërore që ka pasur dokumentacion të pakompletuar, ndërsa ka siguruar se rezultatet e punës së komisioneve janë të besueshme, për shkak të – siç ka thënë ajo, integritetit të anëtarëve të saj. Ministrja nuk ka dhënë shifra sa i takon përqindjes së shpërndarjes së buxhetit në baza etnike. Me tone të ashpra ka komentuar konkurset e mëparshme, për të cilat shprehet se e kanë humbur sensin e garimit
Evis HALILI
Shkup, 24 shkurt – Ministria e Kulturës ka shpallur rezultatet e konkurseve vjetore për financimin e projekteve me interes nacional në kulturë për këtë vit. Ministrja e Kulturës, Irena Stefoska, gjatë prezantimit ka vënë në dukje një sërë vërejtjesh lidhur me aplikantët, mes tyre edhe institucionet shtetërore që ka pasur dokumentacion të pakompletuar, ndërsa ka siguruar se rezultatet e punës së komisioneve janë të besueshme, për shkak të integritetit të anëtarëve të saj. Ministrja nuk ka dhënë shifra sa i takon përqindjes së shpërndarjes së buxhetit (gjithsej 11 milionë euro) në baza etnike, por ia lë opinionit të gjykojë në bazë të rezultateve të publikuara në faqen zyrtare të institucionit. Me tone të ashpra ka komentuar konkurset e mëparshme, për të cilat shprehet se e kanë humbur sensin e garimit.
“Doja të theksoja ‘aftësinë’ e disa aplikantëve, të cilët për arsye të ndryshme, herë legjitime, ndonjëherë jo – janë aftësuar në vite se si të tejkalojnë konkurrencën, të kalojnë nëpër ‘vrimat’ e sistemit, herë shfaqen si autorë, si redaktorë, konsulentë… thënë thjesht – të njëjtët njerëz garojnë vetë… Jam e bindur që në rezultatet e programit – publiku kulturor do të njohë përpjekjen për të braktisur parimin ‘pak për të gjithë’ sepse një ‘parim’ i tillë e bën kulturën të pakuptimtë dhe vret krijimtarinë. Jam shumë e zhgënjyer me faktin që disa prej aplikantëve, përfshirë institucionet kombëtare, kërkuan shuma të pahijshme, dhe së dyti, që disa prej tyre kërkuan fonde për projekte që për shkak të kufizimeve të pandemisë, si në vendin tonë ashtu edhe në botë nuk mund të realizohen… Multikulturalizmi është zemra e vendit tonë, por mbi të gjitha, theksi duhet të vihet në cilësinë e projektit, dinjiteti i qytetarit është mbi të gjitha, dhe mbi të gjitha askush nuk duhet të ndjejë që projekti është aprovuar si anëtar i një komuniteti të caktuar etnik, dhe jo si një autor i denjë”, ka thënë ministrja. Sa i takon kritereve të vlerësimit, pikëve,këtë vit është aplikuar një model i ri për përcaktimin e vlerësimit të pikëve, ka thënë ministrja. Përzgjedhja e fituesve ëhstë bërë duke u vendosur theksi në cilësinë e projekteve, rëndësinë e tyre për interesin publik në kulturë, në jetën e qytetarëve, mbështetjen e autorëve nga bashkësi të ndryshme etnike, stimulimin e krijuesve të rinj.., e të tjera.
Konkursi nuk mund dhe nuk duhet të pritet që të zgjidhë të gjitha problemet e akumuluara prej dekadash, por sipas ministres, ndryshimet e bëra në këtë konkurs që nga shpallja e tij, janë vetëm hapi i parë drejt përmirësimit të të gjithë sistemit. Ajo ka apeluar që Parlamenti të miratojë sa më shpejt të jetë e mundur Ligjin e ri për interesin publik në kulturë.
Afatet për realizimin e projekteve për këtë vit do të zgjaten nga MK në mënyrë që t’iu jepet mundësia dhe koha për të zhvilluar aktivitetet e tyre. Kryetarët e komisioneve që shqyrtuan aplikacionet janë Vesna Dimovska (Botime), Firdaus Nebi (Aktivitetin Dramatik), Emin Gaxha (Folklor), Branka Kostiq-Markoviq (Muzikë), Sonja Abaxhieva (Arte Pamore), Zoran Petrovski (Projekte Ndërdisiplinore), Jane Bakevski (Veprimtari Ndërkombëtare), Ljuljeta Abazi (Trashëgimi Kulturore), Frosina Zafirovska (Veprimtari Muzeale), Sllavica Sërbinovska (Veprimtari Bibliotekare). Buxheti i këtij viti është shkurtuar, por jo për shkak të pandemisë, por të parregullsive të viteve më parë, për të cilat po punojnë ekipet e revizionit. Rezultatet e shpallura të konkurseve përmbajnë informacione në lidhje me aplikuesin e projektit, emrin e projektit dhe fondet e aprovuara për realizimin e tij. Institucionet nacionale konkurruar në muajin qershor të vitit të kaluar, ndërsa të tjerët në muajin tetor. (koha.mk)