Gjithsesi mbetet enigmë se si nëpër institucione të caktuara, përfshi edhe ato arsimore, kanë ngelë të patrazuar ende dinozaurë homo-sapiens me brirë të shekullit 18, të cilët zotësinë e tyre nuk e masin me hulumtime dhe punime shkencore, por me sasinë e urrejtjes ndaj shqiptarëve.
Emin AZEMI
Në një fakultet të Universitetit të Shkupit është një profesoreshë me mbiemër që përfundon me VIQ e cila e paska specializim të ngushtë urrejtjen ndaj shqiptarëve. Ata pak student që studiojnë në këtë Fakultet ( në një drejtim shumë specifik) e përshkruajnë këtë profesoreshë si një bishë të egër që haptazi dhe papengueshëm ua bën ferr jetën atyre. Ajo për pikë të qejfit i ngelë tre, katër vjet studentët shqiptarë dhe shumica nuk kanë mundur të përballojnë antishqiptarizmin e saj dhe e kanë braktisur Fakultetin në mes të studimeve.
Luten ministrat dhe deputetët shqiptarë që t’ua ndalin hovin bishave të tilla, sepse studentët shqiptarë dhe prindërit e tyre nuk kanë kurrfarë obligimi të bëhen pre e frustrimeve çmendurake të shovenistëve të ndryshëm që punojnë nëpër institucione arsimore, dhe jo vetëm.
Qëllimisht nuk po i bëjmë publik emrat e studentëve që kanë qenë viktimë e këtij trajtimi shtazarak në këtë Fakultet, sepse ndaj tyre mund të bie stuhia e hakmarrjes, ndërkohë që me hallin e tyre, tani për tani, mund të merret vetëm ndonjë gazetar kokëshkretë, dhe këtu përfundon kujdesi shoqëror ndaj tyre. Në fakt, kujdesi ndaj tyre, dhe jo vetëm ndaj tyre, duhet të jetë institucional, legal dhe shumë transparent, në radhë të parë nga Rektorati i Universitetit “Cirili e Metodi” të Shkupit, pastaj nga Ministria e Arsimit nga Inspektorati Arsimor dhe nga të gjitha instancat shtetërore që merren me problematikat e urrejtjes racore, etnike, fetare, gjinore etj.
Nuk është problem të gjendet Fakulteti dhe profesoresha në fjalë, sepse, fundja, ky është edhe obligim i organeve kompetente që personat e tillë të targetohen si turbullues dhe keqbërës, ndaj të cilëve medoemos duhet të merren masa adekuate, madje edhe duke i larguar përgjithmonë nga procesi edukativo-arsimor.
Përderisa po e dëgjoja rrëfimin e studentit mbi sjelljet fashiste të një pedagogeje, në mendje si asocim mu paraqit Gjermania e viteve 30 e 40 të shekullit të kaluar, kur ideologjia naziste kishte shënjestruar arsimtarët, tregtarët, bankierët,mjekët hebrenjë për t’i eliminuar, fillimisht, nga jeta publike, e pastaj edhe nga jeta fizike. Nuk është larg mendësh që sikur të dominionin edhe te ne pedagogët me pikëpamje fashiozoide, sikur pretogonistja e këtij editoriali, Maqedonia shumë shpejt do të shndërrohej në një holokaust të paparë. Por është fat i madh që nëpër institucione këta elemente ende janë me pakicë dhe shqiptarët politikisht nuk janë më ata të dekadave më parë, kur ndaj tyre ushtrohej represion i tmerrshëm etnik dhe me hallin e tyre merrej vetëm ndonjë idealist i cili shumë shpejt pastaj përfundonte në birucë. Shyqyr Zotit tani nuk jemi në vitet 50 e 60 dhe shqiptarët nuk janë në atë deregje sa të mos munden të ngrenë zërin për padrejtësisë eventual e që iu bëhen.
Gjithsesi mbetet enigmë se si nëpër institucione të caktuara, përfshi edhe ato arsimore, kanë ngelë të patrazuar ende dinozaurë homo-sapiens me brirë të shekullit 18, të cilët zotësinë e tyre nuk e masin me hulumtime dhe punime shkencore, por me sasinë e urrejtjes ndaj shqiptarëve. Nëse në komunikacion ka policë që përmes pajisjeve të caktuara masin sasinë e alkoolit të vozitësve, do të duhej që “policë” të tillë të ketë edhe për institucionet tona, në mënyrë që dozat e pakontrolluara të shovinizmit jo vetëm që të vihen nën kontrollë, por edhe të eliminohen krejtësisht.
Pedagogia që e ka mbiemrin me VIQ, nuk do të duhej të ndjehej kaq komode pas gjithë atyre keqtrajtimeve që ua ka bërë studentëve shqiptarë dhe më së paku do të duhej të këtë arsye të krenohet me përzënien e studentëve shqiptarë nga Fakulteti ku punon, sepse, fundja, të gjithë duhet të jenë të barabartë para Ligjit dhe sidomos ata që haptazi, papengueshëm, në vend të mirëkuptimit dhe sjelljes njerëzore, kultivojnë urrejtje dhe racizëm. Bishat e tilla duhet të përjashtohen nga jeta publike e arsimore, sepse mund të jenë ende të rrezikshme për gjeneratat tjera që vijnë.