Shërbimet dhe institucionet pedagogjike kanë kapacitet për të zbatuar kërkesat dhe protokollet e Komisionit për sëmurje ngjitëse dhe procesin mësimor ta përshtatin me kushtet pandemike. Është e shëmtuar që shkolla të qëndrojë pa nxënës dhe do të jetë e vështirë për nxënësit që të qëndrojnë jashtë shkollës
Nga Xheladin MURATI
Pyetja është se kush duhet ta bëj këtë harmonizim të vendosjes. Shërbimet pedagogjike siç duket nuk kanë guxim, politika nuk i merr për bazë parimet pedagogjike, kurse komisioni për sëmurje ngjitëse i merr për bazë vetëm shifrat e të infektuarve. Që të tre faktorët duhet të kërkojnë ekspert të fushave dhe ata që janë të ngarkuar politikisht dhe ata që kanë një doze të caktuar ndikimi në sjelljen e vendimit të harmonizojnë qëndrimet dhe vendimet.
Para institucioneve të arsimit Byrosë për Zhvillimin e Arsimit, Shërbimit Pedagogjik, Ministrisë së Arsimit, shkollave qëndron fakti që deridiku të gjithë të binden, të qetësohen dhe të vendosin e të bien në një gjendje reflektimi dhe të ndiejnë përgjegjësi për hapjen e shkollave. Duhet ta kenë parasysh numrin e nxënësve prej 270 mijë të cilët në mungesë të shkollës mbeten të bredhin rrugëve, kafiterive, diskotekave, lokaleve, çajtoreve e të ngjashme. Mbase ato janë të hapura e nxënësit i mbyllim, i ndajmë nga shkolla.
PREMISAT
- Sado e pamundur që mund të duket në këtë moment, me bashkëpunim të mirë shkollat mund të hapen.
- Të gjendet një mënyrë që nxënësit të vazhdojnë shkollimin e tyre me praninë fizike të tyre në bankat e shkollës.
- Nxënësit të përgatiten të mësojnë të jetojnë me virusin.
- Pandemia e ndryshoi plotësisht jetën tonë.
- Mos hapja e shkollave nuk është strategji që fiton.
QASJET DHE ASPEKTET
Institucionet dhe gjithë shoqëria gjenden përballë dilemës se si të hapen shkollat, të cilat priten me plot gëzim nga nxënësit, si të punojnë me një program të reduktuar dhe me një orar të shkurtuar? Hapja e shkollave duhet të ndodh me domosdoshmërinë e zbatimit të protokolleve të sigurisë. Sepse mos hapja e tyre nuk është strategji që fiton. Për këtë qëllim është e nevojshme dhe reale, konsensusi mes subjekteve arsimore, nxënësve dhe prindërve.
Lufta kundër virusit korona, këtij armiku të paparashikueshëm dhe të rrezikshëm do të vazhdoj. Ai krijoi një destabilizim të thellë tek fëmijët, në familje, në paqen dhe qetësinë shpirtërore. Ai solli që mësimi në shkollat të ndërpritet. Megjithatë, shkollat duhet të hapen mbase nuk mund të rrinë gjithnjë të mbyllura për nxënësit. Në njëfarë forme duhet të punojnë. Dëshira për të hapur shkollat tek nxënësit është më e forte se kurrë këtë vit. Pasi kaluan kaq shumë kohë të mbyllura, është e natyrshme që ne dhe nxënësit të dëshirojmë të hapen ato. Sikur të hapen nxënësit duhet t’u përmbahen rekomandimeve për mbajtjen e praktikave të distancës fizike e sociale, e cila padyshim bëhet më e vështirë kur ka më pak hapësirë në dispozicion. Megjithatë me një kujdes më të madh distanca mund të sigurohet.
Është e domosdoshme të ndodh hapja e shkollave, sepse arsimi është shumë i rëndësishëm për të ardhmen e shoqërisë dhe të njeriut. Të krijojmë kushte dhe një gjendje pozitive për hapjen e shkollave. Nxënësit janë më të lumtur, më të qeshur, priren për gjëra më të mira, përpiqen të mësojnë, socializohen, pra gjithçka është shumë e bukur kur shkolla gumzhinë nga zhurma e nxënësve. Aty realizohet arsimi, dija edukimi.
Arsimi është forcë që e shtyjnë njeriun përpara dhe duhet të zhvillohet me cilësi të plotë që të ndërtojmë vlerat e njeriut. Dhe së dyti, “arsimi është pasaporta për të ardhmen, sepse e nesërmja u përket atyre që përgatiten për të sotmen” – Malkolm X.
Nxënësit duhet të shkojnë në shkollë. Politika vendosi shtyrjen e vitit shkollor për të cilën nuk ka arsye, po ndodhin në shoqërinë tone nga papërgjegjësia. Ky vendim është gabimi i saj. Me bindje të plotë mund të them “po” për hapjen e shkollave. Në përgjithësi kur mendojmë për pandeminë vlerësojmë se ajo nuk tërhiqet edhe gjatë kohë. Kur mendojmë për hapjen e shkollave mendojmë thjeshtë se ato kur janë të hapura kontribuojnë edhe në edukimin e nxënësve për t’u mbrojtur nga virusi dhe për ta luftuar atë. Vendim për hapjen e shkollave dhe për organizimin e mësimit me praninë fizike të nxënësve në të është sa i rëndësishëm, po aq edhe i domosdoshëm. Do të na ndodhin alfabet modern pa shkolla, pa dije. Hapja e shkollave është moment i rëndësishëm për nxënësit.
Nevojitet bashkëpunim korrekt, vullnet dhe kulturë pedagogjike për hapjen e shkollave si një e mire e përgjithshme, madje, kjo është edhe standard botëror. Mund të zbatohen edhe skenarë sipas kushteve të shkollave, numrit të nxënësve dhe të paraleleve, gjithnjë duke respektuar distancën fizike. Për vendimin për hapjen e shkollave duhet siguruar konsensus mes nxënësve, mësuesve dhe prindërve. Çështja e pare dhe thelbësore për këtë vendim është fakti se virusi nuk mposhtet dhe nuk humbet shpejt dhe shkollat nuk mund të mbeten të mbyllura për nxënësit në pa kufij. Pra vendimin për hapjen e shkollave nuk mund ta bëjnë politikanët për të cilët opinioni ka dilema, madje edhe fakti, se nuk kanë njohuri pedagogjike-psikologjike për zhvillimin biopsikosocial të nxënësit. Kuptohet komisioni për sëmurje ngjitëse mund ta bëj inicimin dhe ndërmjetësimin mes politikës dhe ekspertëve arsimor që shkollat të vihen në funksion të mësimit, të edukimit dhe të nxënësve.
PËRFUNDIM
Është koha që të shoshitet mire hapja e shkollave nga të gjithë subjektet vendimmarrëse. Vendimi për hapjen kërkon edhe reflektim për gjithçka që ka të bëjë me funksionin e saj normal në kushte pandemie: të kujdeset për shëndetin e nxënësve dhe për realizimin e programës mësimore, qoftë ajo edhe me reduktime përmbajtjesh, orësh dhe lëndë mësimore. Shërbimet dhe institucionet pedagogjike kanë kapacitet për të zbatuar kërkesat dhe protokollet e Komisionit për sëmurje ngjitëse dhe procesin mësimor ta përshtatin me kushtet pandemike. Është e shëmtuar që shkolla të qëndrojë pa nxënës dhe do të jetë e vështirë për nxënësit që të qëndrojnë jashtë shkollës. (koha.mk)