E harruar në Tiranë, e panjohur në vendlindje! Është moment kur duhet t’i gjendet një vend në kujtesën kombëtare, jo vetëm si personazh i romanit “Hasta la vista” të Petro Markos. Ishte e vetmja femër shqiptare që si vullnetare ishte rreshtuar me brigadat internacionale që luftuan regjimin diktatorial të Frankos… Do të ishte harruar krejtësisht, sikur vetë Nënë Tereza të mos e kërkonte shoqen e saj të fëmijërisë
Nga Daut DAUTI
Në jetë kam kaluar nëpër duar shumë libra dhe pas çdo leximi, sikundër çdo lexuesi, të mbetet ndonjë gjë e veçantë, që edhe po të harrosh detajet tjera, ka disa “gjëra” që të kenë bërë përshtypje, nuk të shlyhen kurrë nga kujtesa! Nga mosha kur përpija çdo faqe libri, ndër më mbresëlënësit, pa dyshim do të ketë qenë romani “Hasta la vista” i Petro Markos, por, për çudi, deri vonë, nga shumë emra personazhesh, nuk më ishte fiksuar në mendje një personazh që doemos do të duhej ta kisha mbajtur mend.
JUSTINA SHKUPI!
A mundet një shkupjan, të harrojë një personazh me emër identifikues me qytetin e tij? Ka të ngjarë, i dalldisur në roman pas dy personazheve strumbullarë, dhe dashurisë së tyre, Gori Gjinlekajt dhe Anitës, mund të mos e kem “shënuar” fare në kujtesë personazhin që doemos duhet të jetë përmendur si “motra Justina Shkupi”. Por, mbase duke qenë vepër artistike, kush mund të supozojë se ka në mesin e personazheve të trilluara, edhe ndonjë të vërtetë. Por, këtu është çudia: në romanin e Petro Markos, gjithë lexuesit kemi “zbuluar” se pas emrit të Gorit fshihet vetë autori, por prapa emrave si Xhemal Kada, Asim Vokshi, Ramiz Varvarica…nuk mund të fshihet dikush tjetër, pos vetë ata, sepse i njeh historia si të tillë… Po “motra Justina Shkupi”, ajo infermiere që shëron plagët e vullnetarëve të brigadave internacionale që luftojnë regjimin fashist të Frankos?
Çudi, pranoj se ka ndodhur ajo dalldia pas rrëfimit të dashurisë së dy personazheve kryesore, ndërkaq Justinën ka gjasë ta kem menduar si nga personazhet e trilluara, ndërsa mbiemrin e saj fare të rastit(Kadareja ka një personazh me mbiemrin Struga, dhe kurrkujt kurrgjë, çështje lirie e autorit se si do t’i quajë personazhet, jo se ai doemos ka origjinë nga Struga)! Por, këtu qëndron lajthitja!
Personazhi i romanit të Petro Markos, që pa të drejtë s’e kam “shënuar” në kujtesë, na qenka i vërtetë. Dhe, gjersa është i vërtetë, atëherë dhe mbiemri i saj, flet për origjinën. Pra,nga Shkupi. Por, kush e njeh atë? Dhe, pastaj shtrohet ajo çështja tjetër si dilemë: si është e mundur që disa pjesëmarrës shqiptarë në luftën qytetare në Spanjë kishin shkuar për ta mbrojtur lirinë dhe demokracinë kudër regjimit fashist, të jenë shpallë heronj, kurse Justina Shkupi, e vetmja femër shqiptare, të mos përmendet fare, e lere më të jetë shpallë hero si Xhemal Kada a Asim Vokshi…Pastaj, vjen ajo dilema tjetër: heronj shpallen vetëm pse kanë vdekur në luftë, si një privilegj i të flijuarve, kurse atyre të mbeturve gjallë, vello harrese! Po aspekti “seksist” nga këndvështrimi i sotëm? A nuk është më shumë se mrekulli, madje shprehje emancipimi e një shoqërie e popullit, po dhe në planin individual, që një femër e shkolluar e kohës t’i bashkëngjitet luftës së drejtë të një populli nën regjim fashist?
Por, i nxitur nga interesimi për disa vepra që janë frymëzuar nga ngjarje e personazh të vërteta, një raport i historisë dhe artistikes, iu ktheva prapë Petro Markos dhe kësaj radhe desha të di diç më tepër për Justina Shkupin dhe kërkova atje ku sot mund të gjenden. Në internet gjeta shumë tekste,dorën në zemër, të ngjashëm njëri me tjetrin, që flisnin për të. Ishin disa gjëra të reja, thelbësore, që mësova kësaj radhe: se ajo është figurë reale, se origjina e saj është vërtet ashtu siç thotë mbiemri, nga Shkupi dhe se çka është më interesante, është një bashkëmoshatare dhe shoqe e Gonxhe Bojaxhiut!
Dhe paramendoni pra faktin: e vetmja femër ndër vullnetarët shqiptarë, e ndoshta ndër të rrallat femra nga gjithë Ballkani, në brigadat internacionale, është nga Shkupi, dhe deri tash fare e panjohur për ne!
Dhe ajo do të vazhdonte të mbetej e harruar dhe e pavalorizuar, sikur, në vizitën e parë të në vitin 1989 në Shqipëri, nobelistja Nënë Tereza, të mos e ketë kërkuar shoqen e saj. Autori Sadik Bejko (tekstin e të cilit më 2019-tën e botoi edhe gazeta Koha) kështu e përshkruan: “Në Tiranë Nënë Tereza, veç te tjerave, kërkoi te dinte se ku e kishte varrin, shoqja e saj e bankës në shkollën fillore. Ku e kishte varrin mikja e fëmijërisë, Justina Shkupi?”
Por, kush e njihte Justina Shkupin, se? Sikundër që s’kishte gëzuar ndonjë respekt të regjimit, normalisht as varri i saj s’mund të ishte shënjuar për ta mbajtur mend.
KU ËSHTË VARROSUR ISH-VULLNETARJA E SPANJËS?
Më tutje autori sqaron situatën absurde që autoritetet nuk e kishin ditur se ku është varrosur ish-vullnetarja e Spanjës, ndaj, e kishin thërritur në ndihmë personin Bardhosh Gaçe nga Vlora, i cili e kishte pas si amanet për së gjalli nga Petro Marko që të kujdeset për varrin e Jusinës, dhe mezi e kishin gjetur, për t’ia mundësuar Nënë Terezës që të përkulet mbi varrin e shoqes së fëmijërisë. Hiq më pak, po shoqe banke, ka thënë me gojën e vet nënë Tereza. “Bardhosh Gaçja mbante mend një gorricë, pllakën e varrit me emër… por pas dhjetë viteve, gorrica ishte prerë, pllakat e varreve ishin thyer. U hap regjistri e varrezës me emrat e të vdekurve dhe…Bardhosh Gaçja e çoi Terezën e Kalkutës te varri i Justines në varrezat e Shtish-Tufines. Tereza i vuri lulet mbi varr Justinës”, ka shkruar autori.
Sipas Sadik Bejkos, këto dy shoqe ishin ndarë dhe të dyja ishin bërë “internacionaliste”. Kuptohet, Nënë Tereza zgjedh rrugën e Kalkutës dhe bëhet misionarja më e njohur katolike e botës, ndërkaq Justina Shkupi, si ndër infermieret e rralla të kohës, i ishte bashkëngjitur grupit të shqiptarëve vullnetarë për në Spanjë, ku ka qenë edhe shkrimtari Petro Marko dhe kur e shkroi romanin “Hasta la vista”, nuk e la pa e përfshirë si personazh në të.
Nga ajo që kanë shkruar autorët tjerë, Justina është e lindur në Shkup, më 26 shkurt 1909, e që sipas disa burimeve, emri i vërtetë i saj është Ana Shllaku, bijë e babait Andrea Shllakut me origjinë nga Shkodra dhe e së ëmës Marijes. Emri i kësaj familje mund të jetë gjurmë për hulumtues të gjejnë më shumë të dhëna. (vijon nesër)