Nëse një parti nuk tregohet e denjë të reagojë me kohë në eliminimin e anomalive brenda saj, atëherë do të gjenden plot individë jashtë saj që do të joshen nga liderët maqedonas dhe askush askujt në një shoqëri të lirë nuk mundet t’ia ndalojë angazhimet, qofshin ato edhe për përfitime personale
Nga Emin AZEMI
Shoqëria shqiptare është shumë më e gjerë se sa individët, të cilët edhe mund të jenë të dobishëm në kryerjen e obligimeve e përgjegjësive të caktuara. Kryeministri Zoran Zaev, që ka proklamuar prej fillimit se do ta dëgjojë zërin e gjithsecilit që ka ide progresive në këtë vend, është mirë ta zgjerojë gamën e observimit, duke kaluar nga individët, tek grupet e interesit. Shpesh na ka rënë të dëgjojmë për individë, të cilët kauzat e tyre personale i manifestojnë si kolektive, ndërkohë që përfitimet vazhdojnë të jenë vetëm personale. Jo rastësisht një shoqëri moderne funksionon mbi parimet kolektive të menaxhimit të resurseve profesionale e humane për interesa publike. Edhe kryeministri Zaev sigurisht që nuk i ka harruar këto parime, dhe ai nuk e ka të ndaluar që edhe brenda shoqërisë shqiptare të angazhojë individë, për të cilët mendon se janë të dobishëm për punë që ai i trajton me “kontratë në vepër”. Fundja, teknologjia e përfaqësimit institucional tashmë ka një skemë mirë të përpunuar në Maqedoni dhe zor se ka dikush që mund të bindet për nevojën e aktivizimit të “motorëve dytaktësh” në sferën e përfaqësimit. Shqiptarët mund të jenë ekstremisht të pakënaqur me cilësinë e përfaqësimit nga ana e përfaqësuesve të tyre në institucione, mirëpo askush nuk mundet ta kontestojë këtë skemë që po funksionon, madje as kryeministri Zaev. Ky i fundit ka të drejtë të kërkojë e gjurmojë në shoqërinë shqiptare individë, të cilët mund të kryejnë detyra me nder nëpër institucione, por kjo nuk e mbyll dot ventilimin e prurjeve të reja nga grupe joformale brenda shoqërisë shqiptare, të cilët mund të jenë shumë më kreativ në ide dhe angazhime. Por, ajo çka është edhe më e rëndësishme, kryeministri Zaev duhet të mbajë llogari edhe për dimensionin etik të asaj që ai për momentin ndoshta nuk e ka marrë parasysh e që ka të bëjë me ruajtjen e frymës së konstruktivitetit dhe mirëbesimit me partnerët shqiptarë të koalicionit, të cilët në asnjë mënyrë nuk guxon t’i irritojë me ndonjë prurje individuale (rasti i Boshkovskit e ndonjë tjetër).
Se shoqëria shqiptare është shumë më e gjerë se sa individët, këtë do të duhej ta kenë kuptuar edhe partitë politike, të cilat duhet të hapen proporcionalisht me kapacitetet që aktualisht i ka kjo shoqëri. Nëse një parti perceptohet si kufiri që ndan të diturit nga të paditurit, të shkolluarit nga aktivistët hallexhinj, atëherë lidershipi i saj do të duhej urgjentisht ta ndryshojë këtë perceptim. Nëse një parti nuk tregohet e denjë të reagojë me kohë në eliminimin e anomalive brenda saj, atëherë do të gjenden plot individë jashtë saj që do të joshen nga liderët maqedonas dhe askush askujt në një shoqëri të lirë nuk mundet t’ia ndalojë angazhimet, qofshin ato edhe për përfitime personale. Por, në anën tjetër, nuk mendojmë se shoqëria shqiptare është aq e atrofuar sa të mos mund të absorbojë një dinamizëm më riprodhues të ideve e shanseve. (koha.mk)