Shoqëria e pëlqimeve dhe komenteve në rrjetet sociale

Të dhemb të shohësh se si janë transformuar gjërat në ditët e sotme. Të gjithë i sheh rrugëve të fiksuar pas ekranit të smartphonëve që mbajnë në duar dhe nuk e heqin nga duart. Ulesh në kafene dhe askush nuk bën më muhabet. Të tërë priren të zënë tavolinat pranë prizave për të vënë celularët në karikim e për të qëndruar sa më gjatë online nëpër rrjetet sociale.

Përveç kësaj, ajo që vërtet më shqetëson, është se nuk po shijohen momentet në jetë. Të gjithë po jetojnë për dukje. Postojnë për t’u dukur, për të shitur mend. Ndërkohë harrojnë të shijojnë çdo moment, pasi ditët ikin, vitet fluturojnë, dhe një ditë ne nuk kemi për të mbajtur mend postimet tona, por të qeshurat dhe momentet më të bukura të jetës sonë. Nëse ato nuk i shijojmë sot, nuk do të kemi çfarë të kujtojmë nesër.

Më rastis të shkoj në një udhëtim me disa miq të mitë në Maqedoni. Tërë kohës ishin duke bërë foto. Me këtë pjesë jam mësuar tashmë, por u habita kur u ulëm për të ngrënë në një restorant dhe përveçse kërkuan kodin e wireless-it, filluan të postonin foto dhe t’i thoshin njëri-tjetrit : “Shih çfarë më komentuan; shih sa like mora në këtë foton”. Ajo drekë na vajti tri orë të ulur, saqë dhe kamarieri dukej i mërzitur, pasi po priste pagesën dhe lirimin e vendit, sepse atje bëhej “luftë” për vende.

Ikën tri orë, nga të cilat dy orë ishin vetëm harxhim i kotë me postime. Në ato dy orë mund të vizitonim ndonjë vend tjetër e të kënaqeshim, por jo. Kjo nuk ka rëndësi. Sot ka rëndësi të shesin dëngla dhe të fshihemi pas një fasade që shpesh herë nuk është as jeta jonë.

Postojmë gjëra të lumtura, gjëra luksoze, udhëtime fantastike, kur pas tyre mund të fshihet një shpirt që vuan nga mijëra probleme. Por e rëndësishme sërish mbetet të dukemi sa më të lumtur, pavarësisht se si ndihemi përbrenda. Në fund të fundit, lumturia jonë ka për t’u shtuar nga ato like dhe komente që do të marrim. Nëse nuk i marrim, më mirë i mbyllim për ca kohë llogaritë që kur të kthehemi, t’i surprizojmë ndjekësit me ndonjë ndryshim të madh tek vetja. Kur të kthehemi sërish, duhet të tërheqim prapë vëmendjen që na mungon, se rreth vëmendjes po sillet gjithçka.

Eh, sikur të kuptonim se sa vlerë kanë rrjetet sociale, nuk do vepronim kështu. Ne nuk mbajmë mend asgjë nga postimet tona vjet, apo të dy viteve më parë. Ne mbajmë mend sa bukur kemi kaluar atë mbrëmje kur u kënaqëm duke kërcyer, apo duke bërë gallata me miqtë tanë. Këto ndjesi kurrë nuk kemi për t’i marrë nga facebook-u apo instagrami. Derisa të gjithë ta kuptojmë, mirë është të kënaqemi me liket dhe komentet tona. Rrofshin edhe ato, se na rrisin vetëvlerësimin!