Maqedonia nuk duhet ti ngjajë një kopshti ku njerëzit shartohen sipas lojaliteteve false, ndërkohë që tendencat retrograde të shoqërisë kanë prejardhje të pastër maqedonase. Kauza për të mundur këto tendenca duhet të jetë prioriteti i Zoran Zaevit, e jo vrapi irracional për të përvetësuar shqiptarë të hutuar që u ngjajnë çardakëve pa parmak
Nga Emin AZEMI
Mosbindja e një pjese të popullatës maqedonase për të votuar Marrëveshjen e Prespës, është lexuar edhe si pafuqi e Zaevit për të imponuar kursin e tij europian në politikbërje. Në anën tjetër flitet shumë për kontaktet e dendura që kanë struktura të caktuara të shoqërisë shqiptare me piramidën udhëheqëse të LSDM-së, madje edhe me vet Zaevin. Madje, siç thonë njohësit e mirë të dallavereve shqiptaro-maqedone, mjafton ti shkruash një sms. Zaevit (edhe në orët e vona të natës), dhe saora, pa humbur shumë kohë, të vjen përgjigja e tij, e shkruar me përzemërsinë dhe përulësinë e njeriut të përkushtuar e të përvëluar për zgjidhjen e halleve e problemeve të ndryshme.
Zaevi, ç’është e vërteta, po tregohet i pafuqishëm t’i bind bashkëkombësit e tij ta votojnë një marrëveshje që do ti siguronte shtetit ardhmëri euroatlantike, por në anën tjetër, siç po flitet, nuk e ka shumë problem të kontaktojë me turli shqiptari hallexhi, ndonjëri prej tyre edhe me precedente penale, vetëm e vetëm që në këtë shtet të ndërtohet një shoqëri e mangupëve të barabartë, që do ta dinin saktësisht adresën se ku ndodhet fshehtësia e ngritjes në karrierë pa qenë nevoja të kesh ndonjë parapërgatitje profesionale. Ata, zakonisht gjejnë arsye të akuzojnë kot ndonjë parti shqiptare se po i penguaka në ngritjen e tyre në karrierë, pa çka se me karrierë ata nënkuptojnë tredhjen e mizave dhe krasitjen e hithrave. Si kakërdhia në bagla, edhe ata nguliten diku në ndonjë vend pune (ku marrin rrogë pa e ditur se ku ndodhet puna) dhe gjatë gjithë kohës shajnë liderët dhe partitë shqiptare se si asgjë s’po bëjnë për çështjen shqiptare.
Nëse partitë shqiptare nuk arritën ti përfshijnë të gjitha kategoritë e shoqërisë në punët e ndryshme të shtetit, tani po del Zaevi një korrigjues i njëanshëm duke na bind se edhe banditët shqiptarë kanë vlerë, sidomos kur ata vendosen në pozita jeniçerësh, sepse vetëm jeniçerllëku historikisht është treguar të jetë pyka më efikase në duart e padronëve hileqarë.
Tash kah të shkojmë? Ose kush kënd duhet ta bind që të shpëtohet ky vend i vogël nga devijimet gjeopolitike? Shqiptarët nuk kanë nevojë të kalojnë në taborin e Zaevit për t’u dukur më lojal karshi shtetit që nuk po arrin ende t’ua sigurojë statusin e gjuhës së barabartë. Ose të duken më pak të përvuajtur prapa xhamave të avulluar të autobusit që do ti degdis në rrugët e kurbetit. Në anën tjetër, nuk kanë nevojë edhe të bëhen jeniçerë të betejave të huaja politike, për faktin se ATA ende nuk i kanë mbaruar betejat e tyre në përsosjen e cilësisë në politikbërje, në arsim, kulturë, biznes etj.
Të bësh ajvar ditën e referendumit dhe të pretendosh se shija e fasules duhet të dominojë guston tonë kolektive, i bie që një mëhallë e madhe maqedonasish ende jetojnë në filmat bardh e zi ku partizanët kacafyteshin me gjermanët, jo për të fituar betejën e radhës, por për tu dukur se ylli i kuq tash më kishte vlerë, kundrejt simboleve të zëvendësuara çetnike.
Shqiptarë ( jo ata që i shkruajnë sms-a Zaevit) nuk mund të jenë peng i katundarisë maqedonase dhe sensibiliteve ajvarizuese të tyre. Mbase është koha që shqiptarët një ditë të organizojnë një referendum të TYRE me pyetjen e vetme: “Doni të jetoni në vendin e ajvarit të pabrenduar dhe të përcëlluar nga flaka e mosdurimit etnik, apo doni ti shkolloni fëmijët në shtetin e vlerave europiane?”
Maqedonia nuk duhet ti ngjajë një kopshti ku njerëzit shartohen sipas lojaliteteve false, ndërkohë që tendencat retrograde të shoqërisë kanë prejardhje të pastër maqedonase. Kauza për të mundur këto tendenca duhet të jetë prioriteti i Zoran Zaevit, e jo vrapi irracional për të përvetësuar shqiptarë të hutuar që u ngjajnë çardakëve pa parmak. (koha.mk)