Aty ku mungojnë platforma dhe lideri i protestës, ka rrezik që në ballë të del anarkia e turmës. Ky është momenti më kritik i instrumentalizimit të pakënaqësisë nga segmente e grupacione të caktuara. Fatkeqësisht, në Maqedoni shoqëria shqiptare ka indicie që të jetë peng i këtij instrumentalizimi edhe përkundër faktit, se tani më tepër se kurdoherë më parë, ka nevojë për një zë dhe frymë që do të artikulonte pakënaqësinë me kodin e qartësisë publike, e akceptueshme drejt nga bota e civilizuar
Nga Emin AZEMI
Shoqëria civile që flet shqip në Maqedoni ende nuk e ka frymën, angazhimin, platformën dhe diskursin e saj autentik dhe origjinal dhe për rrjedhojë kjo shoqëri nuk e ka një identitet të qartë social e estetik. Kjo shoqëri funksionin mbi inercionin e ad-hoc ngjarjeve e situatave që nuk e kanë një dinamikë dhe itinerare të kristalizuar. Gjithmonë ka së paku një arsye për të protestuar dhe njerëzit për nga natyra jo gjithmonë pakënaqësitë e veta mund t’i menaxhojnë sipas një itinerari strikt. Por, gjithkund ku pakënaqësia është ngritur mbi një terren të lëkundshëm, pa disa shtylla mbi të cilat është ndërtuar kauza e përfaqësimit, është destinuar ose të dështojë, ose të keqpërdoret nga interesa e grupacione të caktuara.
Shoqëria shqiptare mund të ketë edhe paradokse të tjera, por mundësia për të aktivizuar energji të reja kreative do të varet nga gatishmëria e luftimit të këtyre paradokseve. Një prej atyre mundësive gjithsesi do të jetë edhe të liruarit nga kompleksi i varshmërisë politike-partiake në çdo sferë të organizimit kulturor. Nuk do të duhej kuptuar gabimisht dimensioni politik i këtij organizimi, por vetëm me kusht që komponentë institucionale të shërbejë si turbinë nxitëse e nismave e ideve që vijnë nga shoqëria civile.
Tradita e aktivizmit qytetar në Maqedoni ka qenë ngushtë e lidhur me një filozofi urbane, që është munduar të refuzojë recidivat e sistemit monist. Por ky aktivizëm shumë pak ka mbajtur llogari për specifikat dhe diversitetet gjuhësore, kulturore e nacionale dhe për pasojë për shumë vite këtu është kultivuar njëfarë unifomizmi dhe eklektizmi ekstra-civil, duke u dhënë hapësirë të pamerituar badihavxhinjëve shqipfolës me agjendat e tyre private.
Në vitet nëntëdhjetë vepronte një Këshill për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut me seli në Gostivar, i cili me gjithë mangësitë dhe hendikepet, megjithatë ishte institucioni i vetëm civil, që sensibilizonte shkeljet e natyrave të ndryshme në radhët e shqiptarëve. Ky këshill ishte aktiv, sidomos gjatë viteve të bërjes së Universitetit të Tetovës dhe falë alarmit që lëshonte ai u formua një mendësi e caktuar publike, madje në rang botëror, për dimensionin dhe rëndësinë e kësaj krijese arsimore e kulturore të shqiptarëve.
Në vend se gjërat të kishin ecur përpara, duke mbindërtuar një shoqëri të organizuar civile, ne tani jemi kthyer shumë prapa, madje para viteve nëntëdhjeta. Pasojat e kaosit që përhapën multikulturalistët shqipfolës, të cilët një kohë bukur të gjatë ndërtonin mirëqenie private në kurriz të pabarazisë shqiptare, sot po shfaqen me koston e pariparueshme të mosorganizimit të mirëfilltë. Madje, disa prej tyre kishin dënuar në stilin kooperativist demonstratat studentore të viti ‘81, por pastaj s’iu bëhej vonë të katapultoheshin në aktivistë multikultuor, që e kishin ’për nderë’ të shoqëroheshin me ndonjë eksponent të regjimit të atëhershëm maqedonas.
Aty ku mungojnë platforma dhe lideri i protestës, ka rrezik që në ballë të del anarkia e turmës. Ky është momenti më kritik i instrumentalizimit të pakënaqësisë nga segmente e grupacione të caktuara. Fatkeqësisht, në Maqedoni shoqëria shqiptare ka indicie që të jetë peng i këtij instrumentalizimi edhe përkundër faktit, se tani më tepër se kurdoherë më parë, ka nevojë për një zë dhe frymë që do të artikulonte pakënaqësinë me kodin e qartësisë publike, e akceptueshme drejt nga bota e civilizuar.