Të vajtosh për një problem, përpos mëshirës së çastit, nuk e obligon askënd të merret me ty. Në momentin kur problemin e paraqet me të gjitha dimensionet, që në vetvete nënkupton fakte, dëshmi, ekspertiza, atëherë kjo mund të jetë një dosje e kompletuar që mund të merret në shqyrtim nga çdo gjykatë ndërkombëtare, si dhe nga çdo organizatë ndërkombëtare që merret me të drejtat dhe liritë e njeriut
Nga Emin AZEMI
Ka shumë problem në shoqërinë shqiptare, mirëpo ato nuk trajtohen profesionalisht. Bëhet protesta për raste të montuara gjyqësore, mirëpo nuk është krijuar kultura e arkivimit dhe procesimit të këtyre rasteve nga ana e profesionistëve të ndryshëm. Ato pak OJQ që ekzistojnë, por edhe shoqata e formue të ndryshme, krejt aktivitetin e përqendrojnë në trajtë vajtues në stilin “a po shihni çka po na bëjnë”, ndërkohë që në shoqërinë maqedonase ekzistojnë qendra analitike, me njerëz kompetent, të cilët ofrojnë konsulencë profesionale, shërbime që iu ndihmojnë njerëzve në tejkalimin e problemeve etj. Sa e sa raste ka që njerëzit ankohen për shkeljet që iu bëhen në vendet e punës, apo të tjerë që kanë humbur kontestet gjyqësore për çështje pronësie për shkak të papërgatitjeve të pamjaftueshme profesionale. Avokatët që marrin pjesë në këto raste, nuk munden ti kryejnë të gjitha punët.
Të fillojmë nga rastet e montuara dhe të procesuara keq, siç ishin “Sopoti”,”Monstra”, “Almir Aliu”, por edhe rastet drastike si ai në Radishan kur u detyrua të dëbohet një familje shqiptare nga fqinjët maqedonas, si dhe dënimi me 14 vite burg ndaj një djaloshi shqiptar i cili në vetëmbrojtje kishte therrur me thikë një bashkëmoshanik në Gjorqe Petrov të Shkupit. Kush u mor me këto raste, përpos avokatëve dhe disa aktivistëve që organizuar protesta. Për çfarë shoqërie shqiptare flasim ne kur ajo është e pafuqishme të mbledh një ekip njerëzish profesionistë të cilët do të dinë të shkruajnë në gjuhë të huaj një tekst i cili do t’iu dërgohej organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare. Të gjitha rastet e sipërpërmendura nuk u regjistruan nga organizatat ndërkombëtare, përpos “Monstrës” dhe “Sopotit” që janë përmendur nga Departamenti i Shtetit.
Si mund të informohet opinion ndërkombëtar nëse këtu te në nuk ka një shoqatë që merret me shkeljen e të drejtave dhe lirive të njeriut, përfshi punëtorët dhe njerëzit në nevojë, një shoqatë tjetër që merret me probleme pronësore-juridike, një e tretë që trajton pasojat shëndetësore nga diagnozat e gabuara të mjekëve etj. Pse kjo prirje vetëm për të vajtuar, por jo edhe për të vepruar. Apo ndoshta mendojmë se jemi “racë e zgjedhur” dhe të tjerët duhet të merren me hallet tona.
Në vitet nëntëdhjetë, në Kosovë, ekzistonte FMLDNJ, i cili përpos që evidonte dhunën serbe në terren, dërgonte edhe fotografi dhe dëshmi të tjera nëpër organizata e institucione ndërkombëtare, ndërkohë që ekspertët e këtij Forumi merrnin pjesë edhe në ndriçimin e shumë ngjarjeve, përfshi edhe obduksionet, ekshumimet etj. Nga ajo që u quajt jehonë ndërkombëtare e atyre ngjarjeve , pa dyshim që një kontribut të jashtëzakonshëm kishte dhënë edhe puna në terren e këtij dhe organizatave të ndryshme në Kosovë.
Reagimi i një ambasadori apo një diplomati të rangut më të ulët në vendin ku ata shërbejnë, mbështetet, përveç të dhënave nga mediat dhe burimet e ndryshme që i kanë ambasadat, edhe në informacionet e detajuara profesionale të shoqatave të ndryshme. Cila shoqatë të ne ofron konsulencë profesionale dhe cila prej tyre i informon diplomatët për ngjarjet që ndodhin te ne? Po të mos ishin mediat, shumë ngjarje madje ngelin edhe të paidentifikuara, por kjo nuk mjafton, sepse deformimet që kanë ndodhur janë pasojë e terrenit të përshtatshëm që e krijojmë vet ne me mospërgatitjen profesionale.
Të vajtosh për një problem, përpos mëshirës së çastit, nuk e obligon askënd të merret me ty. Në momentin kur problemin e paraqet me të gjitha dimensionet, që në vetvete nënkupton fakte, dëshmi, ekspertiza, atëherë kjo mund të jetë një dosje e kompletuar që mund të merret në shqyrtim nga çdo gjykatë ndërkombëtare, si dhe nga çdo organizatë ndërkombëtare që merret me të drejtat dhe liritë e njeriut.
Ai bie kjo se ne jemi shoqëri vajtuese, e jo vepruese dhe deri ku është kufiri i kësaj indolence tonë të përgjithshme? Shoqëria i ka ngritjet dhe rëniet e saj, mirëpo pjesa më e ndërgjegjshme e saj – intelektualët e profesionistët e ndryshëm, nuk duhet të bëhen pjesë e anemisë kolektive dhe më së paku të tregohen indiferentë ndaj problematikave akute. (koha.mk)