Deklarimet e BE-së se ratifikimi i marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi do të jetë kushti i fundit për liberalizimin e vizave për kosovarët nuk doli të jetë i vërtetë. Këtë e ka konfirmuar të hënën, gjatë vizitës së tij në Kosovë, komisioneri i BE-së, Johanes Hahn, i cili tha se kosovarët nuk do të lëvizin pa viza deri në vitin 2020.
Por ndryshe nga komisioneri i BE-së, Johanes Hahn, raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Sholtes, thotë se BE-ja duhet të mbajë premtimin e vet dhe të liberalizojë vizat për kosovarët, pasi janë përmbushur të gjitha kushtet për këtë.
“BE-ja duhet t’i mbajë premtimet e veta dhe t’ia heq Kosovës regjimin e vizave sepse Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave”, ka thënë Sholtes.
I pyetur nëse shtyrja e vazhdueshme e liberalizimit të vizave mund të nxisë kosovarët për të kërkuar rrugë alternative për t’u larguar nga Kosova shkaku i gjendjes sociale, ekonomik e politike, Sholtes thotë së Këshilli i Evropës duhet të nënkuptojë se cilat do të jenë pasojat e qëndrimeve të tilla.
“Duhet të theksojmë se Këshilli Evropian duhet ta ketë parasysh se çfarë nënkupton për Kosovën vonesa e liberalizimit të vizave dhe cilat do të jenë pasojat e këtij qëndrimi”, ka shtuar zyrtari i lartë evropian.
Soltes thotë se e kupton plotësisht frustrimin e Kosovës karshi bllokadave që po i bëhen, megjithatë thotë se nuk do të duhej të merreshin masa radikale (nuk e ka qartësuar nëse e ka fjalën për taksën prej 100 për qind ), me qëllim të normalizimit të raporteve me Serbinë.
“Unë e kuptoj plotësisht reagimin e Kosovës ndaj disa bllokadave që kanë ndodhur kohëve të fundit, por do të duhej të merreshin më pak masa radikale për hir të normalizimit të marrëdhënieve. Reagimi i Kosovës është i kuptueshëm, por njëkohësisht edhe i padrejtë. Në anën tjetër, Bashkimi Evropian po e shtyn vendimin për liberalizim të vizave”, ka thënë Soltes.
Ai edhe një herë ka bërë thirrje për normalizim të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi sipas tij është rruga e vetme për normalizimin e situatës në rajon.