Shokon Karzai: ISIS-i në Afganistan, projekt amerikan

Ish presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai, tha se prania e organizatës terroriste DEASH në vendin e tij është projekt i SHBA-ve, raporton Anadolu Agency (AA). Karzai në një deklaratë për gazetarin e AA-së pretendon se të gjithë anëtarët e DEASH-it që kryen akte terroriste në Afganistan janë sjellë nga jashtë vendit për disa objektiva dhe se organizata terroriste mbështetet nga SHBA-të. Duke mbrojtur idenë e tij se SHBA-të nuk dëshirojnë përfundimin e aktiviteteve terroriste në Afganistan, dhe duke iu referuar forcave amerikane që ndodhen në vend që prej vitit 2002 me qëllim luftën kundër terrorizmit, Karzai tha se “Sikur situata të mos ishte e tillë, nuk do të rritej çdo ditë e më shumë kërcënimi nga terrorizmi pavarësisht se SHBA-të janë të pranishëm këtu”. Karzai ka shtuar më tej se SHBA-të përkundër pranisë ofrojnë mbështetje për forcimin e DEASH-it në Afganistan. Pasi ka theksuar se qëllimi themelor i DEASH-it nuk është Afganistani, por destabilizimi i vendeve të rajonit duke përdorur territorin e Afganistanit, Karzai ka shtuar se organizata terroriste në rajonet ku është efektive persekuton, masakron popullatën dhe përpiqet të eliminojë traditat afgane. Ndër të tjera Karzai ka deklaruar se Rusia dhe Irani janë të shqetësuar për praninë e SHBA-së në Afganistan dhe më tej ka bërë vlerësimin se “Edhe Rusia ashtu si SHBA-të, Britania e Madhe dhe disa vende të tjera mund të jenë në kontakt me talebanët”. “SHBA-të nga ne kanë kërkuar bazë të përhershme ushtarake, dhe në këmbim premtuan dy gjëra. Së pari do të mbronin Afganistanin nga kërcënimet e jashtme si Pakistani. Dhe së dyti do të eliminonin problemet e sigurisë së brendshme të Afganistanit dhe do të zhvillonin ekonominë e vendit. Por pas nënshkrimit të marrëveshjes së sigurisë nuk zbatuan asnjërën nga fjalët e premtuara. Përkundrazi sulmet e Pakistanit u rritën edhe më shumë kundrejt territoreve të Afganistanit. SHBA-të nuk kanë mundur të mbajnë premtimet e dhëna ndaj nesh dhe këtu kanë dështuar”, tha Hamid Karzai duke shtuar se talebanët në vend në kohët e fundit po forcohen dhe se disa forca të huaja kanë luajtur rol të rëndësishëm në forcimin e organizatës. Karzai ka theksuar se është i papranueshëm sulmi me “bombën më të madhe” që SHBA-të kryen muajt e kaluar në rajonin Nangarhar në lindje të vendit. Më tej ai theksoi se pas këtij sulmi ka arritur në konkluzionin se forcat e huaja në vend nuk janë në të mirë të popullit afgan dhe se për këtë arsye nuk dëshirojnë qëndrimin e tyre në Afganistan. Karzai, gjithashtu tha se SHBA-të me këtë sulm nuk kanë respektuar popullin dhe territorin afgan dhe se janë përpjekur ta kthejnë vendin në një tabelë qitjeje. Më tej duke bërë të ditur se është një lajm i mirë për popullin afgan pjesëmarrja në procesin e paqes të liderit të Partisë Hizb-i Islami, Gulbeddin Hikmetjar shpreson që pjesëmarrja e tij në procesin e paqes do të ndikojë pozitivisht ndaj talebanëve, Karzai, ka bërë thirrjen “Lëreni luftën, merrni pjesë në paqe, ky është vendi juaj, dhe të jemi së bashku të ulur në këtë mënyrë. Ta rishikojmë sërish kushtetutën e Afganistanit”. Ish presidenti i Afganistanit Karzai theksoi se Turqia është miku më i mirë i Afganistanit. “I nderuari presidenti (Recep Tayyip) Erdogan është mik i afërt i imi. Erdogan është një lider i madh i botës islame, respekti im për të është i pafund. Ka realizuar shumë ndihma për ne. Në vendin tonë ka bërë investime të mëdha dhe ne jemi shumë të lumtur për këto investime. Unë e dënoj ashpër tentativën e dështuar për grusht shteti në natën e 15 korrikut. Jemi të lumtur që dështoi. Kjo situatë ka treguar se Erdogan ka një vend të madh në zemrat e popullit turk. Turqia do të përparojë drejt të ardhmes së saj. Ne jemi një vend i varfër, kemi dhimbje, mangësi për shkak të mos arsimimit. Në ngjarjet e grusht shtetit në Turqi ishim pranë Erdoganit. Shteti turk mund ti marrë në dorëzim shkollat e FETO-s në Afganistan. Mjafton që të rinjtë tanë të arsimohen me arsim cilësor dhe të rritet numri i të rinjve tanë të arsimuar”, tha Karzai.