Ishte një nga bomberat më “të pangopur” ndonjëherë, në fund të viteve ’90 dhe në fillim të viteve 2000. Jeta e tij u “shenjtërua” nga shënimi i golave, shumë prej të cilëve te Porto, Galatasaray dhe Sporting Lisbona. Ato u shoqëruan, gjithashtu, edhe nga varësia prej drogës. Mario Jardel “i vari këpucët në gozhdë” pas një karriere të gjatë, që e dërgoi në çdo cep të botës (Brazil, Portugali, Turqi, Itali, Qipro dhe Bullgari). Sot, ai zbulon se cili ishte problemi me të cilin duhej të merrej për disa kohë.
E bëri këtë në një intervistë për kanalin “YouTube Pilhado”, në të cilën tregoi historinë e tij: “Unë hyra në botën e drogës, kur luaja në Europë, për shkak të kuriozitetit. U njoha me disa njerëz, që ma ofruan atë. E përdorja rregullisht kur isha me pushime, sepse e dija se gjatë garave do të kishte kontrolle antidopingu. Kur je futbollist i njohur dhe bëhesh me para, të ngrihen edhe shumë kurthe. Miqësi, tundime, kuriozitet rreth gjërave të ndaluara…”
Për Jardel sot, varësia nga droga është për fat të mirë vetëm një kujtim i keq. Dhe kjo, falë ndihmës së gruas së tij: “Hoqa dorë nga ato gjëra të gabuara dhe gruaja ime më ndihmoi shumë për këtë. Ajo ishte në anën time, edhe në gjërat më të thjeshta. Tani dua të jap një imazh të mirë për fëmijët e mi, të bëj disa punë sociale, madje të jap leksione, në mënyrë që të rinjtë të mos bëjnë të njëjtat gabime si unë “.
Jardel, me më shumë se 450 gola të shënuar në karrierën e tij, ka jetuar një periudhë të shkurtër edhe në Itali, në vitin 2004, kur mbante veshur fanellën e Ancona. Megjithatë, nuk u përshtat dot në Serie A, ku luajti vetëm tri ndeshje.