Moskë, 15 gusht – Ministri rus i Mbrojtjes Sergej Shojgu shfaqi mbështetje për përpjekjet e Venezuelës që të kundërshtohet në “tentimet e SHBA-së që ta ndërrojnë qeverinë e zgjedhur ligjërisht”.
Shojgu këtë qëndrim ka e shprehur në takimin e sotëm me kolegun e tij venezuelas Vlladimir Padrino Lopez në Moskë, lajmëroi agjencia shtetërore ruse duke u referuar në fragmente të bisedës së tyre.
“Ne i mbështesim përpjekjet e Qeverisë për zbatimin e politikës së jashtme të pavarur dhe luftën kundër tentimeve të SHBA-së që ta ndërrojnë qeverinë e zgjedhur ligjërisht”, ka thënë Shojgu.
Rusia është një ndër mbështetëset më të fuqishme të qeverisë socialiste të Venezuelës, e cila viteve të kaluara ka siguruar kredi prej miliarda dollarë për këtë shtet të Amerikës Jugore.
Në kushte të mungesës së ushqimit dhe ilaçeve, të ekonomisë së varur nga eksporti i naftës, Venezuela ndodhet në prag të kolapsit, të nxitur nga protestat masive të kundërshtarëve të presidentit Nikollas Maduro.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës e dënojnë Maduron dhe e mbështesin rivalin e tij politik, liderin e opozitës Huan Guaido, i cili u vetëshpall president i përkohshëm, transmeton DPA.