Vetëm përmes edukimit paraprak dhe shtimit të sanksioneve për kundërvajtje në komunikacionin rrugor mund të përmirësohen sjelljet e drejtuesve të automjeteve. Ndodhitë e fundit në Shkup tregojnë se një pjesë e mirë e aksidenteve në komunikacion janë shkaktuar nga shofer të rinj
Omer XHAFERI
Shkup, 11 qershor – Rrugët e Shkupit jo rrallë po shndërrohen në “fushë beteja”. Një problem i kamotshëm, por çdo herë aktual është mos respektimi i shenjave të komunikacionit. Qasja jo serioze e shoferëve të rinj në komunikacion mendohet të jetë një prej shkaqeve kryesore se pse numri i aksidenteve po rritet, shkruan gazeta KOHA. Grupi jo formal i aktivistëve qytetar “Në biçikletë”, duke i komentuar aksidentet e fundjavës në kryeqytet, thonë se shumica e këtyre rasteve kanë ndodhur nëpër rrugë të qytetit, ku shpejtësia e lejuar nuk është më tepër se 50 km/h.
“Pjesa më e madhe e rasteve përfundojnë me lëndime të rënda trupore, ose me viktima. E gjithë kjo për shkak të shpejtësisë së madhe. Nëse shoferët e respektojnë ndalesën për shpejtësi, atëherë gjasat janë shumë të vogla që të goditën këmbësorët apo çiklistët. Duhet gjobitje e vazhdueshme e këtyre shkeljeve”, thonë nga lëvizja “Në biçikletë”.
Ndryshe, si rezultat i shpejtësisë së madhe gjatë fundjavës që lamë pas u goditën tre këmbësor dhe një çiklistë. Viktima më e re ishte një vajzë 14 vjeçare, ndërkohë më i vjetri i një plak 82 vjeçar. Po thuajse të katër aksidentet ishin shkaktuar nga shofer të ri, të moshës 22 deri në 28 vite. Për të ndryshuar kjo situatë aktivistët qytetar apelojnë që të ndryshohen programet e auto shkollave, gjegjësisht sipas tyre nevojitet që pjesë orëve të marrjes së patentë shoferit të jetë edhe testimi (edukimi) si këmbësor apo çiklistë. Vetëm në këtë mënyrë mendohet se do të zbutet dhe përmirësohet kultura në komunikacionin rrugor.
Aksidenti i parë ku kishte pësuar këmbësori 72 vjeçar M.A, sic raportojnë nga policia e Shkupit, ishte regjistruar në rrugën “Dimitrije Çupovski”. Kjo ngjarje sipas organeve të rendit kishte ndodhur rreth orës 11:00 të ditës së shtunën, kur një veturë e llojit “Volsvagen golf”, e drejtuar nga 28 vjeçar e kishte goditur plaku në fjalë. Orari i ndodhjes së aksidentit dhe e mosha e shoferit e përjashtojnë faktin se të rinjtë shenjat e komunikacionit nuk i respektojnë vetëm kur janë të dehur.
“Në bulevardin ‘ASNOM’ të shtunën rreth orës 16:00 një veturë ‘Hundai akcent’ me targa të Shkupit, e drejtuar nga 22 vjeçar Z.S e kishte goditur këmbësorin 82 vjeçar N.D”, raportojnë nga MPB. Me këtë rast mund të shihet se shkaktar i aksidentit në komunikacion është një shofer i cili nuk mund të ketë më tepër se katër vite përvojë në drejtim e automjetit.
Për dallim nga dy aksidentet e para, ku policia kishte arritur ti ndalon shoferët, gjatë goditjes së 14 vjeçares në fundjavën e kaluar, shoferi i veturës kishte arritur të largohet nga vendi i ngjarjes. Ndërsa, vajza e lënduar më pas ishte transferuar në Qendrën Klinike “Nëna Terezë”.
Përpos këmbësore të aksidentuar, gjatë vikendit të kaluar në Shkup me lëndime të rënda të trupore kaloi edhe një çiklist i moshës 57 vjeçar, i cili papritmas ishte goditur nga bashkëqytetar i tij i moshës 35 vjeçar. (koha.mk)