Një pjesë e sindikalistëve kërkojnë që shlyerja e borxheve të vlejë njësoj si për ndërmarrjet në pronësi të shtetit, ashtu edhe ato private, ku duhet në bazë të ligjit, që qytetarët menjëherë të lirohen nga këto harxhime të panevojshme
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 12 shkurt – Pas miratimit në Kuvend të Ligjit për faljen e kamatave në emër borxheve të vjetra për shërbime komunale , nga fillimi i muajit dhjetor, edhe në praktikë filluan të vlejnë dispozitat e reja ligjore. Qytetarët janë të liruar prej kamatave ndëshkuese të llogarive të vjetra për shërbimet komunale, por vetëm për kompanitë në pronësi të shtetit. Me fjalë të tjera, për të gjitha vendimet e lëshuara për realizim , nga ana e gjyqit deri më datën 25 maj të vitit 2006, ndërsa të përfunduara, dhe të bartura në noter apo përmbarues , duhet që qytetarët të lirohen nga kamatat dhe harxhimet e përmbarimit, shkruan gazeta KOHA.
Bëhet fjalë për kamatat ndëshkuese për borxhet e ngrohjes, rrymës, ujit, telefonisë fikse dhe celulare, ujitjen si dhe mirëmbajtjen e hapësirave të përbashkëta. Ndërmarrjet komunale të ujit, bie fjala, apo ndërmarrjet e tjera publike, janë të obliguara që vetë të shlyejnë borxhet e kamatave ndëshkuese, ndërsa kompanitë private që kanë detyrime prej qytetarëve , do të duhet vetë të vendosin se a do të shlyejnë borxhet të qytetarëve. Të drejtën e shlyerjes së borxhit, sipas ligjit, mund ta realizojë çdo borxhli që do të shlyejë borxhin kryesor dhe harxhimet e tjera në procedurë pre 12 muajsh prej ditë së shpalljes së vendimit të këshillit drejtues së debitorit. Të drejtën e shlyerjes së kamatës, borxhliu apo personi fizik e realizon me parashtrimin e kërkesës deri tek debitori. Ndaj kërkesës ai parashtron edhe dëshminë për pagesën e realizuar të borxhit kryesor. Debitori në afat prej 15 ditësh, pas pranimit të dëshmisë së pagesës, është i obliguar me shkrim ta informojë me letër rekomandimi, në adresën e regjistruar të borxhliut, për miratimin e tërësishëm, të pjesërishëm apo për refuzimin e shlyerjes së borxhit. Për shlyerjen e borxhit nevojitet që në afat deri më tetë ditë të informohet edhe noteri apo përmbaruesi, tek i cili ka qenë i transferuar vendimi për realizim i lëshuar nga gjyqi, se është paguar borxhi kryesor, është shlyer kamata, andaj kërkohet ndalimi i procedurës në noter apo përmbaruesi. Në ndërkohë, dy muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit, ai zbatohet pjesërisht nga kompanitë. Një pjesë e sindikalistëve kërkojnë që shlyerja e borxheve të vlejë njësoj si për ndërmarrjet në pronësi të shtetit, ashtu edhe ato private, që nuk duhet vetë të vendosin për anulimin e kësaj ngarkese të madhe për qytetarët, por duhet në bazë të ligjit, që qytetarët menjëherë të lirohen nga këto harxhime të panevojshme.
“Kërkojmë që ligji të mos varet nga vullneti i mirë i kompanive private, ndërsa qeveria nevojitet të intervenojë me qëllim që ligji të vlejë për të gjithë kompanitë shtetërore, dhe private njësoj”, thotë Marjan Ristevski nga Konfederata e Organizatave Sindikale të Maqedonisë. Sipas tij, nevojitet që sa më shpejt të miratohet edhe çmimorja e re me qëllim, që përmbaruesit të mos paguajnë akoma kosto të lartë të punës së tyre, raporton KOHA.
Njohësit e kësaj problematike shpjegojnë se bëhet fjalë për një problem me të cilin , qytetarët ballafaqohen që nga viti 2011, kur lëndët ekzekutive nga gjyqet janë transferuar në noter dhe përmbarues, ndërsa qytetarët u rënduan me kamata të mëdha për lëndët, për të cilat shpesh as nuk e kanë ditur se ekzistojnë , dhe as që ka propozime për pagesë të dhunshme. Para tetë vitesh, spekulohej se bëhet fjalë për 100 mijë deri 100 mijë lëndë, ndërsa jo zyrtarisht flitet së bëhet fjalë për 150 mijë lëndë të plotfuqishme që gjenden në gjyq për zbatim. (koha.mk)