Shkup, 21 tetor – Shkurtim të afateve për marrje të informatës së karakterit publik, rritje të transparencës së pronarëve të informatave dhe mundësi për sanksione më të mëdha kundërvajtëse, janë disa nga kërkesat e gazetarëve të cilët sot morën pjesë në debatin onllajn që e organizoi Sindikata e pavarur e gazetarëve dhe punonjësve medial.
Sipas gazetarëve, afati prej 20 ditëve për marrje të informatës, paraparë në ligj,është shumë i gjatë për mediumet, posaçërisht në raste kur duhet të publikohet një lajm ditor. Propozimi është të vendoset afat gradual, përkatësisht për qytetarët të mbetet afati prej 20 ditëve, por për mediumet këto afate të shkurtohen.
Vlerësimi i mediumeve është se institucionet e shfrytëzojnë edhe situatën aktuale me Kovid-19, vetëm për të mos i dhënë informatat të cilat kërkohen prej tyre.
“Transparenca e cila është e brishtë çdoherë, tani tërësisht është vendosur ad akta me arsyetimin se njerëzit punojnë nga shtëpia dhe nuk kanë mundësi t’i parashtrojnë informatat. Për fat të keq, kur të vini në situatë të kërkoni informatë, tregohet saktë ajo se administrata ekziston për t’ju pamundësuar qasje drejt informatave. Njerëzit e detyruar për informata të karakterit publik janë si digë që ju të mos e merrni informatën”, theksoi Tamara Çaushidis.
Ajo thotë se të dhënat na janë më se të nevojshme, por fakti se po shfrytëzohet Kodi që të arsyetohet jotransparenca, flet se ekziston tendenca që të fshihen të dhënat. Çaushidis konsideron se në këtë moment, Qeveria bën hap të madh prapa në raport me transparencën.
Drejtoresha e Agjencisë për mbrojtje të së drejtës së qasjes së lirë drejt informatave të karakterit publik Pllamenka Bojçeva paralajmëroi përmirësim dhe saktësim të ligjit në periudhën në vijim, ndërsa, siç tha, do të merret parasysh edhe afati gradual.
Vërejtje e gazetarëve është edhe ajo që nuk ekziston transparencë as në jurisprudencë, as tek partitë politike, edhe pse të dytat janë të obliguara me ligj të japin informata për financimin.
Situata është e keqe edhe në raport me obligimin e institucioneve shtetërore të publikojnë 21 dokumente të karakterit publik. Hulumtimi i BIRN-it tregon se gjysma e ministrive nuk i kanë publikuar këto dokumente, ndërsa ka edhe raste ku publikohen dokumente të skanuara, të bashkangjitura në mënyrë të parregullt.
Sipas raportit të vitit të kalaur të Agjencisë për mbrojtje të së drejtës së qasjes së lirë drejt informatave të karakterit publik, nga gjithsej 1257 pronarë të i nformatave të karakterit publik, 1047 parashtruan raport vjetor, ndërsa 210 institucione nuk e përmbushën këtë obligim ligjor. Janë parashtruar 755 ankesa prej të cilave 621 janë nga persona juridik, ndërsa 134 nga persona fizik. Një pjesë e madhe e ankesave, përkatësisht 411 janë kundër organizatave shëndetësore, 130 kundër institucioneve shtetërore, 97 kundër komunave, ndërsa 43 kundër ndërmarrjeve publike.