Shkup, 7 maj – Një emër legjendar që e bartë i riu i lindur në Shkup. Hamza Jashari së shpejti do të jetë pjesë garave ndërkombëtare, dhe supet do t’i mbështjellë me flamurin e Kosovës. Ai do të jetë pjesë e Klubit të Xhudos “Ippon”, që e udhëheq Toni Kuka. Lajmin e konfirmon edhe vet Kuka, transmeton gazeta Koha.
“Hamzë Jashari në Klubin e xhudos ‘Ippon’ dhe së shpejti do përfaqësoj Kosovën. Loriana Kuka erdhi para dy vitesh nga Zvicra të jetoj në Kosovë e tashmë është në Top 10 më të mirat në Botë për të rritura. Këto suksese inkurajuan dhe unë me dëshirë po e pranoj në klubin e Xhudos ‘Ippon’ një shqiptar të lindur në Shkup,një talent që besoj do arrij rezultate Kulminante në të ardhmen. Hamzë Jashari është tashmë pjesë e klubit tonë dhe poashtu në procedurë për marrjen e shtetësisë! Potencial për Lojëra Olimpike në Paris 2024!”, shkruan në postimin e tij në Facebook, Toni Kuka.
Kujtojmë, Hamza Jashari vitin e kaluar hyri në histori, duke u bërë xhudisisti i par i cili ia ka sjell Maqedonisë Veriore medaljen e parë të arit pas nëntë viteve ekzistencë në Kupën Evropiane, e cila u mbajt në Gyor të Hungarisë. Jo vetëm për xhudon e Maqedonisë Veriore, por edhe për Hamzan kjo ishte medalja e parë e arit prej vitit 2012 kur zyrtarisht filloi të merr pjesë në gara.
Hapave të babait
Ndryshe, Hamza me xhudo ka filluar të merret prej moshës 9-10 vjeçare te klubi “Ipon” nën udhëheqjen e trajnerit Mustafa Fetahu. “Me xhudo kam filluar të merrem prej moshës 9-10 vjeçare te klubi ‘Ipon’ nën udhëheqjen e trajnerit Mustafa Fetahu. Arsyet se pse jam marr me xhudo ka qenë babai, i cili gjithashtu në të kaluarën është marr me këtë sport derisa për trajner ka pasur gjithashtu Mustafa Fetahun. Ishte dëshira e babait që unë të ndjek hapat e tij, dhe kuptohet unë këtë dëshira ia plotësova”, shtoi më tej Jashari, për gazetën Koha.
Kampionati shtetëror, gara e parë zyrtare
Me fillimet e para me sportin e xhudos, Hamza filloi të merr pjesë edhe në disa turnirë në Maqedoni, ndërsa në një garë zyrtare ka marr pjesë në Kampionatin shtetëror në vitin 2012 ku edhe është shpallur kampion i Maqedonisë. “Në vitin 2012 për herë të parë kam marr pjesë në një garë zyrtare kur u shpalla kampion shtetëror për pionier të rinj. Që prej atëherë e deri më 2017 unë jam kampion i pakontestueshëm i Maqedonisë Veriore. Sa u përket turnirëve jashtë Maqedonisë Veriore, kam marr pjesë në Serbi, Bullgari, Kosovë, Shqipëri, Slloveni, Gjermani. Derisa, do të kisha dalluar Kampionatin Ballkanik në Serbi, kur e zura vendin e tretë dhe në Slloveni (2017) kur humba në luftën për medaljen e bronztë. Gjithashtu do të kisha veçuar edhe Kampionatin Evropian në Lituani në vitin 2017, ku humba në luftën për medaljen e bronztë nga garuesi rus”, vazhdon rrëfimin e tij shpresa e xhudos së Maqedonisë Veriore.
Mundës i KM “Liria” në vitin 2016
Është interesante të përmendet se Hamza në vitin 2016 ka qenë mundës i KM “Liria” nga Shkupi. “Për shkak se përgatitjet fizike në klub ishin të dobëta, u detyrova të merrem me mundje edhe atë te klubi më i suksesshëm shqiptar ‘Liria’. Aty qëndrova një vit dhe gjatë kësaj periudhe kam marr pjesë edhe në gara të ndryshme, si kampionatin shtetëror për pionier (vendi i tretë) dhe disa turnirë tjera. Realisht qëllimi im ishte që të stërvitem në aspektin fizik se sa të marr pjesë në gara. Megjithatë u jam falënderues kryesisë së klubit, trajnerëve dhe mundësve për hapësirën që ma dhanë për tu stërvitur. Ata asnjëherë nuk më kanë ndarë nga mundësit tjerë edhe pse e dinin se sporti i xhudos për mua ishte në rend të parë. Përsëris u jam falënderues për këtë, ndërsa edhe ata janë pjesë e suksesit që e arrita në Gyor të Hungarisë. Me ndihmë të Federatës, unë dhe xhudistët tjerë stërvitemi me mjeshtrin e xhudos nga Rumania, Gabriel Sapta, i cili është edhe trajner i përfaqësueses së Maqedonisë Veriore”, tregon xhudisti shqiptar”, i cili ka 3 vite që është pjesë e skuadrës së “Mioki” nga Shkupi.
Ndihmë nga askush, për gara paguan nga 500 euro
Ndryshe, Hamza bën për gazetën Koha ka bërë të ditur se në përjashtim të pjesëmarrjes në Kupën Evropiane në Gyor të Hungarisë, deri më tani në gara ka marr pjesë me vetëfinancim. “Klubi ‘Mioki’ nuk ka kushte që të mi mbulojë harxhimet për pjesëmarrje në gara, kështu që kam qenë i detyruar që harxhimet ku kam marr pjesë në gara ti mbuloj vetë. Turnirët nuk janë të shtrenjta, por Kupat kushtojnë. Shembull një pjesëmarrje atje kushton 500 euro. Nuk mund të mos e përmend përkrahjen e madhe që e kam pasur nga ish-kryetari i Komunës së Çairit Izet Mexhiti. Ai është njeriu i cili më ka ndihmuar më së shumti deri më tani dhe për këtë e falënderoj shumë”, përfundoi Jashari. (koha.mk.)