Laura PAPRANIKU
Shkup, 7 shkurt – Projekti për integrim ndëretnik në arsim, vazhdon të mos i josh shkollat në Maqedoni, shkruan gazeta KOHA. Me gjithë mbështetjen financiare që ofron Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) për shollat që do të organizojnë mësim të integruar, prapë se prapë nuk janë nxitur mjaftueshëm të realizojnë kësi lloj programesh. Më 17 nëntor të vitit të kaluar MASH shpalli Thirrje publike për “ndarjen e mjeteve në të holla (grante) për organizimin e aktiviteteve në shkollat fillore dhe të mesme, të cilët kontribuojnë për zhvillimin dhe avancimin e multikulturalizmit, integrimit ndëretnik dhe tolerancës”. Mirëpo, edhe pse shkollave u ofrohen para në vlerën e 30000 denarëve që t’i kushtojnë vëmendje integrimin ndëretnik në arsim, dy muaj më vonë doli se nuk janë edhe aq të interesuara për këtë.
Sipas publikimit të rezultateve përkatëse del që programet multietnike mësimore, për këtë vit do të realizohen vetëm në 14 shkolla të mesme dhe 42 fillore nga gjithsej 108 shkolla të mesme publike, respektivisht 1100 shkolla fillore në Maqedoni. Ajo që gjithashtu bie në sy është edhe numri i vogël i shkollave të kryeqytetit, sidomos në nivelin e arsimit të mesëm. Për realizimin e programeve, me qëllim të integrimin ndëretnik në arsim, kanë aplikuar dhe fituar grante kryesish shkolla të qyteteve periferike, si Resnja, Sveti Nokolla, Demir Hisari, Gjevgjelia apo Vallandova dhe aty-këtu ndonjë shkollë në Tetovë, Kumanovë dhe Gostivar. Ndërkaq, në Shkup aty ku edhe është më i madh numri i shkollave të mesme të përziera sipas përkatësisë etnike të nxënësve, program integrimi do të realizohet në një shkollë të vetme, edhe atë vetëm me mësim në gjuhën maqedonase. Konkretisht bëhet fjalë për shkollën e mesme të bujqësisë “Braqa Milladinovci” në fshatin Draçevë.
Në listën e 42 shkollave fillore gjen disa që gravitojnë në rrethin e Shkupit si “Vasil Gllavinov” në Butel, “Skënderbeu” në Haraçinë apo “Emin Duraku” në Saraj. Me gjithë se nuk mungojnë edhe shkolla të qyteteve tjera si “Istigball”në Tetovë apo “Bratsvo Edinstvo” në Dibër, edhe në këtë listë bie në sy që pjesa dërmuese e shkollave janë prej provincave dhe vendeve rurale.
Në fakt, rezultatet e kësaj përpjekje të MASH-it për të avancuar integrimin ndëretnik në arsim, nuk janë edhe aq të papritura nëse mbështetemi në jehonën e valës që kishte ky projekt në pesë vitet e kaluara. Në përjashtim të aktiviteteve zbavitëse me karakter sportiv dhe kulturor edhe atë vetëm kur shkollat përfitonin para apo rregullonin ndonjë kabinet, integrimi ndëretnik në arsim nuk ka shënuar ndonjë rezultat tjetër pozitiv. Mundësia ligjore për të mësuar gjuhën jo maqedonase, si lëndë zgjedhore, nga klasa e gjashtë për ata që gjuhë të parë kanë maqedonishten, është parë më tepër si mundësi e jo maqedonasve për të mësuar gjuhën e vet amtare se sa si tendencë e mirëfilltë për të mësuar edhe “gjuhën e tjetrit”.
Shqiptarët edhe ashtu e mësojnë në mënyrë të detyrueshme maqedonishten nga klasa e katërt nëntëvjeçare (që në sistemin e arsimit tetëvjeçar do t’i binte nga klasa e tretë), kurse maqedonasit dhe turqit në raste të izoluara e zgjedhin shqipen si lëndë mësimore. Ndërkaq, ndryshon puna me nxënësit romë, vllahë apo boshnjakë, të cilët shkollim e ndjekin në gjuhën maqedonase. Ata mund ta shfrytëzojnë integrimin ndëretnik në arsim si mundësi për të zgjedhur gjuhën e tyre e amtare si lëndë mësimore zgjedhore.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.