Shkup, 26 dhjetor – Skuadra e FC Shkupi edhe zyrtarisht prezantoi sponsorin e ri “Gruop impex” dhe pronarin e saj Shefqet Demiri, që është edhe sponsor i skuadrës Boluspor nga Turqia. Ndryshe, kryetari i deritanishëm, Omer Bunjaku u shpreh i lumtur me ardhjen e sponsorit të ri. “Këtu para jush po e prezentojmë sponsorin edhe pronarin e ri Shefqet Demiri. Falënderoj kryetarin e Komunës së Çairit Visar Ganiu që e realizoi premtimin që e kishte dhënë gjatë fushatës se do të sjell sponsor stabil. Falënderoj të gjithë për përkrahjen që ma dhatë gjatë udhëheqjes sime”, u shpreh Bunjaku. Në anën tjetër kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu tha se është i nderuar që gjendet në mesin e sponsorit të ri. “Jam i nderuar që gjendem në mesin e sponsorit të ri dhe kryetarit të deritanishëm Omer Bunjaku. Është një ditë e madhe për të gjithë ne pasi sponsori i ri po vjen në një ditë ku FC Shkupi feston 90 vjetorin e themelimit.
Kam qenë vazhdimisht me klubin ndërsa me funksionin tim të ri mora përsipër që të gjej një sponsor. Falënderoj pronarin e ri Shefqet Idrizi, i cili ka një projekt madhor për ta çuar klubin përpara. I gjithë dokumentacioni është gati dhe të formohet kryesia e re”, tha Ganiu. Në anën tjetër tani më sponsori i ri Shefqet Demiri premtoi angazhim maksimal duke thënë se brenda 3 viteve do ta bëj Shkupin në një rang me KF Shkëndija dhe KF Vardar. “Fillimisht dua të them se unë prejardhjen e kam nga Çairi i Shkupit. Jam tifoz i FC Shkupit që nga femijëria, ndërsa 20 vitet e fundit jam në Turqi, derisa gjithmonë e kam përcjell dhe kam ndihmuar klubin, ndërsa tash erdh koha që të njëjtin ta udhëheqim. Pasi i pamë gjitha mundësitë para një jave i zyrtarizuam bisedimet. Besoj se planet që i kemi hartuar për 4 vitet e ardhshme dhe mëtutje, do ti realizojmë”, u shpreh Demiri, i cili foli edhe për pritjet e tij në postin e ri. “Gjashtë muajt e mbetura të sezonit pranveror do të mundohemi të jemi sa më lartë në tabelë. Sa i përket përforcimeve sigurisht se do të ketë por meqenëse koha është e shkurt, giditjet më të mëdha do të ndodhin në sezonin e rri”, nënvizoi më tej. Up Në fund Demiri tha se gjatë ditëve në vijim do të prezantohet kryesia e re e klubit, por duke konfirmuar se tani më ish-kryetari Omer Bunjaku do të jetë pjesë e saj. Ndërkohë, u bë e ditur se FC Shkupi përgatitjet dimërore do ti realizojë në Antalia të Turqisë. Ndërkohë, pas prezantimit FC Shkupi festoi edhe 90-vjetorin e themelimit ku prezent ishin mysafirë të shumtë në mesin e tyre edhe ish-futbollistë, trajnerë dhe tifozë e dashamir të klubit. (Koha.mk)