Sa e sa liderë shqiptarë kanë bërë karrierë politike në Shkup, por shumë pak prej tyre kanë pranuar të banojnë aty. Ndoshta i vetmi prej atyre që bën përjashtim ishte ideologu dhe patrioti Hasan Prishtina, i cili ndonëse i lindur në Vushtrri, e kishte zgjedhur Shkupin, jo vetëm për të zhvilluar veprimtari politike e atdhetare, por edhe për të banuar në të dhe për t’u bërë pjesë e ritmit të përditshmërisë që prodhonte kalldërma e Shkupit.
Emin AZEMI
Si shumë kontradikta që përshkojnë jetën tonë të përditshme, është edhe qasja e dyzuar ndaj temave e problemeve të caktuara. Zhvillimi politik, kulturor e arsimor i shqiptarëve në Maqedoni ka ndjekur ritme e dinamika të ndryshme dhe krejt kjo ka qenë e shpërndarë në disa periudha kohore. Një ndarje pak më e përgjithësuar që ka karakterizuar këtë zhvillim është identifikuar edhe me ndryshimin e sistemeve politike dhe për rrjedhojë shqiptarët në monizëm dhe në kohën e pluralizmit u shoqëruan me shpejtësi të ndryshme zhvillimi. Por, pati edhe periodizime të tjera, kurse viti 2001 do të përkufizojë një gurë kilometrik që vetvetiu imponoi një ecje me më shumë përparësi dhe kontradikta. Përparësia e pare kishte të bënte me detabuizimin e temave që determinonin drejtpërdrejt rolin e shqiptarëve në shtendërtim, kurse kontradiktat lidheshin me pamundësinë e dinamizimit të kërkesave konform frymës së kohës. Shqiptarët humbën disa vite të arta në mosadaptimin e duhur brenda efekteve që solli ndryshimin dhe kur do të shkruhet pas disa dekadave historia politike e shqiptarëve të Maqedonisë, do të saktësohet sigurisht edhe roli i flamurtarëve të çështjes kombëtare, duke i diferencuar ata në idealist dhe në tregtarë. Herët është të bëjmë bilancin se kishte më shumë idealist apo tregtarë flamujsh, por disa indikacione flasin se politika e bërrylave dhe e inateve dominonte mbi parimet atdhetare për një shqiptari të lire në plotë kuptimin e fjalës. Dhe njeriu është plotësisht i lirë vetëm atëherë kur arrin të luftojë demonët brenda vetes, sepse gjithmonë dëmet më të mëdha janë ato që nuk i vërejmë si tonat, por i përjetojmë si pasoja të rënda, madje duke drejtuar gishtin te të tjerët si gjoja shkaktarë të atyre dëmeve.
Një prej dëmeve që ne ia shkaktuam vetes, por që pasojat i ndiejmë për çdo ditë, është edhe mostrajtimi i Shkupit në listën e prioriteteve politike e kombëtare. Sa e sa liderë shqiptarë kanë bërë karrierë politike në Shkup, por shumë pak prej tyre kanë pranuar të banojnë aty. Ndoshta i vetmi prej atyre që bën përjashtim ishte ideologu dhe patrioti Hasan Prishtina, i cili ndonëse i lindur në Vushtrri, e kishte zgjedhur Shkupin, jo vetëm për të zhvilluar veprimtari politike e atdhetare, por edhe për të banuar në të dhe për t’u bërë pjesë e ritmit të përditshmërisë që prodhonte kalldërma e Shkupit. Vitet që Hasan Prishtina kaloi në Shkup, njihen në fakt edhe si periudha që determinoi dinamikën e zhvillimit politik në mbarë hapësirën shqiptare dhe jo rastësisht Shkupin ai e zgjodhi të jetë në njëfarë mënyre observatoria gjithëkombëtare e paralajmërimit të dridhjeve tektonike që do të pasonin në këtë pjesë të Europës Juglindore.
Atë që Shkupin e fiksuan shumë udhëpërshkrues e autorë si nyjë lidhëse e shumë transverzaleve ballkanike, politikanët shqiptarë, të periudhave të ndryshme, e flakën atë në periferinë e prioriteteve të tyre, duke e shndërruar Shkupin, padrejtësisht, në një kasaba ku vetëm në mëngjes mund ta pish kafen, por jo edhe të darkosh apo të bujsh aty, sepse shprehia muhaxhere e politikanëve tanë bëri që kryeqendrën e dikurshme të Dardanisë ta trajtojnë si një qarkore periferike për të mbyllur ditën në fshatin apo lagjen e lindjes diku jashtë Shkupit.
Prandaj, jo rastësisht ne sot kemi dy pjesë diamtrealisht të kundërta të Shkupit, dhe përgjegjës pse Shkupi sot i ngjason një qyteti të ndarë në dy kuarte – “kuarti palestinez” dhe “kuarti hebre”, bie pikërisht mbi këta politikanë tanë shtegtarë që asnjëherë nuk pranuan ta ngrenë folenë e përkushtimit politik e atdhetar, aty ku perandorët e kohëve të ndryshme kishin locuar jo rastësisht rezidencat e tyre.
Lakmia për të bërë një xhiro në “Shkupin hebre” jo vetëm etimologjikisht ka prodhuar një lakmus social në inferioritetin e të rinjve të Gazi Babës e Serovës, por i ka dhënë rëndësi të pamerituar gjithë provincialistëve post-industrial nga fshatrat e Shtipit e Vallandovës, që ardhjen dhe vendosjen përgjithmonë në Shkup e projektuan si kompensim të strategjisë së vëtëpërjashtimit të politikanëve pellazgo-ilirë të shek. 20 e 21 që me vetëdëshirë pranuan të bëjnë “politikë të madhe” nëpër lagje e katunde periferike.