Shkup, 13 nëntor – Me disa manifestime kulturore, humanitare dhe sportive sot do të shënohet 13 Nëntori – Dita e çlirimit të Shkupit.
Me atë rast, kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov do të takohet me përfaqësues të Këshillit të qytetit të Lidhjes së luftëtarëve të Luftës nacionalçlirimtare antifashiste të Maqedonisë.
Më pas, Delegacioni i Qytetit të Shkupit do të vendosë lule para përmendores së çlirimtarëve të Shkupit në varrezat partizane, në Alejën e qytetarëve meritorë dhe para përmendores së gjeneralit Mihajllo Apostollski në Varrezat e qytetit “Butel”.
Në orën 12:30, para Përmendores së çlirimtarëve të Shkupit, në platonë para Qeverisë, delegacione shtetërore, luftëtarë të LNÇ-së, përfaqësues të Armatës së Republikës së Maqedonisë, nga komunat e Qytetit të Shkupit, anëtarë të institucioneve të tjera, si dhe delegacioni zyrtar nga Qyteti i Shkupit do të vendosin lule.
Ngjarjet për nder të Ditës së çlirimit të Shkupit do të vazhdojnë sonte në Filarmoninë e Maqedonisë, ku solemnisht do të ndahen çmimet “13 Nëntori”. Koncert do të mbajë Filarmonia e Maqedonisë.
Në suaza të shënimit të 13 Nëntorit, sot do të mbahen disa manifestime. Qendra kulturore e fëmijëve “Karposh” edhe këtë vit tradicionalisht e organizon manifestimin kushtuar institucioneve parashkollore “E ndërtoj qytetin tim 2018”. Do të mbahet në hapësirat e Qendrës për fëmijë “Karposh” prej orës 10:00 deri në orën 11:00 dhe ka për qëllim t’i cekë aftësitë krijuese të fëmijëve.
Aksioni tradicional i dhurimit të gjakut i Kryqit të Kuq të Qytetit të Shkupit do të mbahet sot prej orës 9:00 deri në orën 17:00 në Shtëpinë e organizatave humanitare “Dare Xhambaz”.
Promovim i monografisë “Arkitektura si skulpturë fotografike (1963-1990) nag Erina Bogoeva do të mbahet sonte, me fillim në orën 19:00 në librarinë “Literatura.mk”.
Në kuadër të festivalit të filmit evropian “Sinedejs”, në Qendrën rinore kulturore me fillim prej orës 23:00, do të interpretojë The Mauskovic Dance Band. Hyrja është pa pagesë.
Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 13 Nëntorit – Ditës së çlirimit të Shkupit, u mbajtën një numër i madh i manifestimeve rekreative dhe sportive të cilat financiarisht janë mbështetur nga Qyteti i Shkupit.
Më 13 nëntor, para 73 viteve, luftëtarët nga Divizioni i 42-të dhe dhe i 50-të nacionalçlirimtar të ushtrisë së Maqedonisë dhe Brigada e 16-të maqedonase e çliruan Shkupin nga okupimi fashist.