Trajneri Qatip Osmani për gazetën Koha konfirmoi se përkundër lëndimeve që i pësuan ndaj Rabotniçkit, edhe Besar Iseni, por edhe braziliani Sergio, do të jenë në kombinim për duelin e së dielës, Muharemi do të mungojë për shkak të kartonit të kuq, ndërsa në ekip rikthehet Bajrami
Bujar KURTAJ
Shkup, 28 shkurt – Skuadra e FC Shkupi, të dielën do të përballet me KF Renova, në kuadër të derbit shqiptar të javës së 21 në Ligën e parë futbollistike të Maqedonisë së Veriut. Bardhekaltërit para kësaj përballje mbajnë pozitën e gjashtë me 25 pikë, tre më shumë se Renova që mban pozitën e 8-të.
Para kësaj përballje, trajneri Qatip Osmani ka disa paqartësi sa i përket formacionit, pasi ndaj Rabotniçkit dy futbollist lëshuan fushën për shkak të lëndimeve. Fjala është për Besar Isenin dhe brazilianin Sergio. Iseni gjatë një dueli lëndoi krahun, ndërsa Sergio pësoi lëndim në këmbën e djathtë dhe u largua nga fusha i përlotur. Ndërkohë që sulmuesi i talentuar Suhel Muharemi do të mungojë ndaj skuadrës tetovare për shkak të kartonit të kuq të marr ndaj Rabotniçkit. Lajm i mirë për Osmanin do të jetë rikthimi në fushë i Muharem Bajramit, i cili ndaj Rabotniçkit mungoi për shkak të kartonit të kuq të cilin e mori në ndeshjen me Borecin në Çair.
Ndryshe, nga ekipi bardhekaltër respektivisht trajneri Qatip Osmani për gazetën Koha konfirmuan se përkundër lëndimeve që i pësuan ndaj Rabotniçkit, edhe Besar Iseni, por edhe braziliani Sergio, do të jenë në kombinim për duelin e së dielës.
“Sergio ka bërë rezonancën magnetike menjëherë pasi u lëndua të dielën dhe fatmirësisht nuk ka dal asgjë serioze. Ai mungoi të mërkurën në stërvitje, por dje në të njëjtin u rikthye. Jam optimist dhe besoj se ai do të luajë ndaj Renovës. Sa i përket Isenit, lëndimi të cilin e pësoi në krah është sanuar, por meqenëse lëndimi është i freskët ende, do të shohim deri të dielën se si do jetë gjendja e tij. Siç e dini për shkak të kartonit të kuq nuk do të mund të llogarisim në shërbimet e Suhel Muharemit, por lajm i mirë për mua si trajner dhe skuadrën është rikthimi i Muharem Bajramit, i cili rikthehet pas kartonit të kuq. Gjendja e futbollistëve tjerë është e mirë dhe të gjithë do të jenë në kombinim për ndeshjen derbi me Renovën”, deklaroi për KOHA, trajneri i FC Shkupi, Qatip Osmani.
Ndeshja ndërmjet FC Shkupi dhe KF Renova do të zhvillohet të dielën në stadiumin në Çair me fillim në ora 14.00.