Bujar KURTAJ
Shkup, 15 shkurt – Në fundjavë fillon sezoni pranveror në Ligën e parë futbollistike të Maqedonisë, ndërsa kryesfida e javës do të jetë ajo mes dy rivalëve të mëdhenj Vardarit dhe Shkupit. Kjo ndeshje do të zhvillohet në stadiumin e qytetit në Shkup, por pa shikues, duke marr parasysh se Vardari është dënuar për shkak të incidentit në ndeshjen me Renovën në sezonin vjeshtor.
Trajnerët e të dyja ekipeve Gose Sedloski dhe Ardian Nuhiu, veç më i kanë filluar përgatitjet për këtë sfidë, megjithëse të dytë ballafaqohen me probleme. Në fakt trajneri i Vardarit nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e Darko Glishiq, i cili në stërvitjen e fundit kur ekipi qëndronte në Antalia, e theu hundën, ndërsa në dyshim janë edhe Stefan Spirovski dhe Xhonatan Balotelli.
Derisa, situata te FC Shkupi është krejtësisht ndryshe. Nuhiu nuk ka probleme me lëndime, por ka probleme të natyrës tjetër. Jasir Asani, i cili u huazua pikërisht nga Vardari, nuk ka të drejtë të luaj, pasi ashtu qëndron në marrëveshjen e arritur mes të dyja skuadrave që Asani të mos ketë të drejtë loje kundër ish-ekipit të tij, derisa Sedat Berisha dhe Emanuel Mbella, janë në pritje të certifikatave. Berisha pas largimit nga Kuvajti, ende nuk i ka arritur certifikata nga Federata e Kuvajtit, ndërsa dokumentacioni i Mbellas është në procedurë.
“Deri më sot as Berishës po as Mbellas nuk ju kanë arritur dokumentacionet e nevojshme për të luajtur të dielën në përballjen me Vardarin. Të dy futbollistët janë të regjistruar në Federatën e Futbollit të Maqedonisë, pro deri më sot dokumentacioni i nevojshëm për këta dy lojtar nuk ka arritur ende. Jemi në kontakte të vazhdueshme me FIFA dhe na kanë thënë se duhet të kalojnë 7 ditë nga paraqitja në TMS, ndërsa pastaj merret parasysh se ka kontekst të rastit dhe ata i lëshojnë lejet për të luajtur derisa lënda të shqyrtohet”, deklaroi për KOHA zëdhënësi i FC Shkupi, Hajrush Mani.
Kujtojmë, se FC Shkupi është skuadra e vetme e cila këtë sezon në dy përballje ngeli e pamposhtur në duelet me Vardarin, për dallim prej skuadrave tjera, të cilat pësuan disfata.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.