Bujar KURTAJ
Shkup, 3 dhjetor – Kampioni aktual Vardari ka pësuar një nokdaun nga futbollistët e Shkupit në stadiumin e Çairit duke u mundur me rezultatin 2-0. Me dy eurogolat e Bajramit dhe Stojkoskit djemtë e trajnerit Ardian Nuhhiu arritën fitore shumë të rëndësishme ndaj rivalit të madh në një atmosferë impozante e krijuar nga grupi i tifozëve “Shvercerat Shkup”. Vardarin kjo disfatë e len edhe një hap mbrapa mbrojtjes së titullit, derisa për bardhekaltërit kjo është një fitore e madhe në “luftën” për mbijetesë, por që e forcon në mesin e tabelës (vendin e 6-të) me 23 pikë aq sa ka edhe Rabotniçki. it Ndryshe, kampioni aktual hyri si favorit në këtë ndeshje, por në fushë ndodhi e kundërta, dominuan futbollistët e Shkupit dhe me plot meritë në fund iu gëzuan fitores së madhe, fitore të cilën që nga viti 2009 nuk e kishin arritur kundrejt rivalit më të madh të saj .
Derisa, pas kësaj humbje të kampionëve ka përfituar më shumë skuadra e Shkëndijës, e cila në mënyrë rutinore ka mundur Pelisterin me 3-0 Autor të golave për kuqezinjtë ishin Besart Ibraimi, Ferhan Hasani dhe Arbin Zejnullai. Me këtë fitore Shkëndija edhe më shumë i afrohet titullit të kampionit. Ata tani kanë 46 pikë, 14 më shumë se Vardari.
Renova ka fituar një pikë të madhe në përballjen me Pobedën në cilësinë e mysafirit. Të parët në epërsi kaluan nikoqirët, mirëpo Nafiu në minutën e 82 barazoi rezultatin në 1-1. Fitore ka arritur edhe Rabotniçki kundrejt Skopjes me 3-0.
Rezultatet:
A.Pandev – Sileksi 0-1
Rabotniçki – Skopje 3-0
Pobeda – Renova 1-1
Shkëndija – Pelisteri 3-0
Shkupi – Vardari 2-0