Shkup, 11 korrik – Ekipi i Futsal Shkupit që këtë vit do na përfaqësojë në ndeshjet e “UEFA Futsal Champions League”, prej sot edhe zyrtarisht do të startojë fazën e përgatitjeve për sezonin e ri. Sipas portalit “InfOsport”, në grumbullimin e mbrëmshëm, kryesia e klubit njoftoi stafin dhe lojtarët lidhur me plan programin e përpiluar për këtë vit, i cili do të jetë më i ngjeshur, pas pjesëmarrjes së tyre në ndeshjen e Ligës së Kampionëve, që në program janë nga data 22 deri më 27 gusht.
“Mbrëmë kishim grumbullimin e parë pas pushimit të merituar do të kisha thënë. Neve prej sot edhe zyrtarisht startojmë me përgatitjet për sezonin e ri, ku shpresojmë fillimisht të kemi paraqitje të mira në ndeshjet e Ligës së Kampionëve, dhe më pas edhe në kampionat. Ne jemi debutues në Ligën më prestigjioze evropiane në futsall, mirëpo do mundohemi të japim më të mirën nga vetja. Besoj se me përgatitje të mira dhe përforcim të skuadrës në disa pozicione, mund të arrijmë suksese edhe në arenën ndërkombëtare, edhe pse prapë do e them se për ne është ky viti i parë që do bëjmë gara në arenën ndërkombëtare, ashtu që duhet të futemi shumë të rezervuar në këto gara”, deklaroi njëri prej përfaqësuesve të klubit nga Çairi, Agron Fazlija, që ishte edhe pjesë e shortit të hedhur në Nion të Zvicrës.
Cekim, Shkupi do të garojë në grupin C, bashkë edhe me përfaqësuesin e Maltës, Luxol St. Andrews, atë të Austrisë, Diamant Linz dhe përfaqësuesin izraelit, Makabi Tel Aviv. Të gjitha ndeshjet skuadra “bardhekaltër” nga Çairi do ti zhvillojë në Linz të Austrisë. Pjesën e parë të stërvitjeve skuadra do ti kryejë në Shkup, në palestrën pranë SH.M.SH “Zef Lush Marku”, ndërsa për pjesën e dytë drejtuesit e Shkupit kanë vendosur që të dalin jashtë Shkupit, mirëpo pa precizuar ndonjë vend të caktuar, për të cilin do vendosin gjithë së bashku.