Shkup, 8 janar – Skuadra e FC Shkupi tani më ka tri ditë që ka filluar me fazën e parë të përgatitjeve, ndërsa nga dje janë transferuar nga salla e mbuluar, në terren të hapur. Derisa, kryesia e klubit tani më ka aranzhuar edhe ndeshjet kontrolluese që ekipi do të zhvillojë gjatë qëndrimit 15 ditor në Antalia të Turqisë, ku edhe do të kryhet faza kryesore e përgatitjeve. Sigurisht se për këtë fazë janë kërkuar kundërshtarë me përvojë të madhe ndërkombëtare, që futbollistët të kenë një impenjim më të madh dhe sa më të përgatitur ta fillojnë fazën e parë të kampionatit pranveror.
Pikërisht për këtë emra të mëdhenj si Karabagu e Anzhi janë kundërshtarët me të cilët do të fillojnë dhe mbarojnë kontrollueset. Ndryshe, ndeshjen e parë Shkupi e luan me 25 janar kundër kampionit të katërfishtë të Azerbajxhanit, i cili gjithashtu ka fituar edhe katër tituj të Kupës, ndërsa ka pas vete edhe pesë paraqitje në garat e Ligës së Kampionëve të Evropës dhe shtatë herë pjesëmarrës në Ligën e Evropës. Ndeshjen e dytë dhe të tretë FC Shkupi do të ketë për kundërshtarë dy skuadra që garojnë në Premier Ligën e Ukrainës, FC Stal Kamianske dhe Çernomorets Odesa, ndeshje këto që do të zhvillohen me datë 27 janar dhe 02 shkurt, me 30 janar të vitit 2018 përballje do të ketë edhe me skuadrën nga liga e dytë e Hungarisë, Csakvari TK, ndërsa faza e ndeshjeve kontrolluese mbyllet me duelin e fundit kur përballë do të ketë ekipin e Anzhit nga Premier Liga e Rusisë.
Por, deri në kohën kur ekipi do të udhëtojë për në Turqi, trajneri Ardian Nuhiu është duke punuar që të zhvillojë edhe dy ndeshje kontrolluese gjatë kësaj faze, fillimisht me 14 janar do të luajë ndeshje kontrolluese kundër të rinjve nga shkolla e futbollit, ndërsa me 18 janar është kontrolluesja e fundit, ku së shpejti pritet dhe konfirmimi i skuadrës kundërshtare.
Zyrtarizohet Lamçevski
Pasi ditë më parë ishte përfolur për disa emra se mundë të jenë përforcimet e para të FC Shkupit, drejtuesit e klubit kanë zyrtarizuar përforcimin e parë të afatit kalimtar të janarit, ndërsa ai është futbollisti nga Manastiri, Bllagojçe Lamçevski. Marrëveshja është nënshkruar në prani të nënkryetarit të klubit Omer Bunjaku, i cili kontratën me Lamçevskin e nënshkroi në Hotel “Epinal” në Manasitir. Futbollisti 30 vjeçar nga Manastiri pas vete ka një karrierë kampioni i cili në kampionatin e Maqedonisë ka fituar tri herë titullin kampion dhe tri herë Kupën e Maqedonisë. Prezantimi zyrtar i Lamçevskit do të bëhet të mërkurën, kur edhe do ti bashkohet skuadrës në stërvitjen e parë.