Duhet të shikojmë nga ndeshja në ndeshje dhe të japim maksimumin nga vetja. Sigurisht që nuk është e lehtë që të luash 11 ndeshje në 35 ditë, por nuk ka zgjidhje tjetër. Në ekip mbizotëron një atmosferë shumë e mirë dhe të gjithë mendojmë pozitivisht dhe mezi se presim që më në fund të luajmë në Çair para publikut tonë”, pohon mbrojtësi i FC Shkupi, Toni Tipuriç
Bujar KURTAJ
Shkup, 25 prill – Pa dy titullarët Bllazhe Ilijoski dhe Ermedin Adem (të lënduar) përfshi këtu edhe Bllagoja Lamçevskin, i cili po vuan dënimin e kartonit të kuq ndaj Akademija Pandevit, FC Shkupi sot (e mërkurë) në stadiumin në Çair dhe para tifozëve të saj, do të pres skuadrën e Pobedës. Një ndeshje me vlerë për FC Shkupi edhe atë në dy aspekte. E para, kjo ndeshje për bardhekaltërtit është e vlefshme në luftën për mbijetesë dhe e dyta vazhdimin e ëndrrës për pozitën e katërt, e cila qonë në Liga Evropë në rast se KF Shkëndija fiton trofeun e Kupës së Maqedonisë. Pavarësisht mungesave të lojtarëve që do ti ket Shkupi ndaj Pobedës por edhe rezultateve jo të mira që po i arrin nën drejtimin e trajnerit Zekirja Ramadani (tre disfata, një barazim dhe një fitore), bardhekaltërit synojnë fitoren, sidomos për faktin se do të luajnë për herë të parë në sezonin pranveror në Çair.
“Sigurisht që Pobeda nuk vjen në Çair vetëm sa për të luajtur 90 minuta, sikur ne edhe ata kanë nevojë për pikët. Duhet që të jemi të durueshëm që nga minuta e parë e deri te e fundit, të koncentruar dhe luftarak. Kemi deri në fund edhe nëntë ndeshje ku mundë të merren 27 pikë. Duhet të shikojmë nga ndeshja në ndeshje dhe të japim maksimumin nga vetja. Sigurisht që nuk është e lehtë që të luash 11 ndeshje në 35 ditë, por nuk ka zgjidhje tjetër. Në ekip mbizotëron një atmosferë shumë e mirë dhe të gjithë mendojmë pozitivisht dhe mezi se presim që më në fund të luajmë në Çair para publikut tonë”, deklaroi mbrojtësi Toni Tipuriç.
Kampioni i ri i Maqedonisë, KF Shkëndija do të jetë mysafire e Akademija Pandevit, një ndeshje e cila nuk vendos asgjë për kuqezinjtë, por nuk është kështu me nikoqirin, e cila akoma nuk e ka të siguruar mbijetesën. Synimi i kuqezinjve në vazhdim të kampionatit ashtu siç thanë pasi u shpallën kampion të Maqedonisë do të jetë grumbullimi i sa më shumë pikëve. “Është një transfertë e vështirë, por ne kemi kualitetin e duhur për të fituar në çdo ndeshje dhe në çdo fushë. Do ti respektojmë të gjitha skuadrat në Ligë, ndërsa në fushë do jemi gjithmonë 100 për qind për të marrë pikët maksimale, e që janë tre pikët”, deklaroi për gazetën KOHA, mbrojtësi nga Shqipëria në radhët e Shkëndijës, Olsi Teqja.
Ndërkohë, në ndeshjet tjera të cilat do të zhvillohen sot (e mërkurë), do të zhvillohen edhe tre ndeshje interesante. Ajo në “Filipi i dytë” mes Vardarit dhe Rabotniçkit, Renovës do të pret “Skopjen” si dhe Pelisteri do të pret Sileksin.
DYSHET:
A.Pandev – Shkëndija
Vardari – Rabotniçki
Shkupi – Pobeda
Pelisteri – Sileksi
Renova – Skopje