Omer XHAFERI
Shkup, 28 shkurt – Tetëdhjetë mijë denarë vodhën sulmuesit e armatosur gjatë grabitjes së fundit në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, shkruan gazeta KOHA. Dy persona të panjohur me maska hynë në bastore me armë dhe kërcënuan të punësuarën se do ta vrasin nëse ajo nuk ua jep fitimin ditor. Ata me fitimin ditor u arratisën, ndërsa organet e rendit po punojnë për zbardhjen e rastit. Kjo është njëra ndër grabitjet e fundit dhe më serioze e regjistruara në kryeqytetin e Maqedonisë. Statistikat zyrtare tregojnë se këto ditë në Shkup janë raportuar dhjetëra vjedhje dhe plaçkitje, por edhe më keq janë përvojat e qytetarëve të cilët dëshmojnë se vidhen, pa marr parasysh vendin apo kohën. Grabitjet në mes të ditës në vende të frekuentuara, plaçkitjeve në shtëpi, apartamente dhe grabitjet e makinave, plaçkitje në taksi, në bastore sportive, dyqane të thjeshta ose dyqane për teknikë të bardhë, madje edhe grabitjet në ëmbëltore, rregullisht e mbushin buletinin e policisë. Nga një dyqan ushqimor në rrugë ”Samoillova” janë vjedhur 13.730 denarë, pasi grabitësi i maskuar me armë në duar e kërcënoi punonjësin se do ta vriste. Tre persona të panjohur kanë kryer plaçkitje ndaj të miturit në Shuto Orizarë. Është sulmuar dhe grabitur edhe një taksist në rrugën “Ordan Çopella”, të cilit vjedhësit ia morën 5000 denarë. Një taksisti tjetër i kishin vjedhur 1500 denarë dhe dy telefona celularë. Një fëmijë dhjetë vjeçar, i cili ka qenë duke udhëtuar në një rrugë në qendër, në mes të ditës është sulmuar dhe hajdutët ia kanë marrë nga dora çelësat e shtëpisë dhe telefonin celular, raporton KOHA.
I punësuar në agjencion të sigurisë është grabitur derisa ishte duke e ruajtur një objekt në Fushë Topanë. Një banor i Jabollçishtës së Velesit ka humbur 6.000 denarë gjatë qëndrimit të tij në Shkup, pasi është grabitur nga dy persona të maskuar në rrugën “Dushko Popoviç”… Këto janë vetëm disa nga vjedhjet dhe grabitjet që nga fillimi i muajit që ndodhën në Shkup. Policia ka njoftuar se kohët e fundit arrestoi dy persona të rrezikshëm që vidhnin në territorin e Çairit, Butelit dhe Fushë Topanës. Brenda një dite grabitës të moshës mes 21 dhe 26 vjeçare kanë kryer shtatë grabitje dhe kanë “fituar” rreth 400.000 denarë. Paratë, sipas pretendimeve të tyre, i kanë harxhuar para se të kapen. Banorët e Shkupit tregojnë për situata të ndryshme që u kanë ndodhur miqve dhe të afërmve të tyre. Një nga vjedhjet më të rënda ndodhi në fillim të vitit në lagjen Ilinden, kur nga një shtëpi u vodhën 1.2 milionë denarë, 10.000 euro, 4000 dollarë amerikan, stoli ari dhe shtatë parfume. Statistikat zyrtare të policisë tregojnë se vitin e kaluar janë regjistruar 2,641 vjedhje të zakonshme, të cilat për nga numri janë përafërsisht identike me të mëparshmet e vitit 2015, kur kanë janë regjistruar 2610 vjedhje, prej të cilave 1029 vjedhje xhepi (1000 në vitin 2015), 60 vjedhjet të rënda (61 në vitin 2015), 152 plaçkitje (165 në vitin 2015) dhe 21 vjedhje me armë (13 në 2015). Ndërkaq, janë zbuluar 250 autorë të vjedhjeve të zakonshme, tre prej vjedhjeve në xhep, dy grabitje më të rënda, pesë autorë për plaçkitje dhe tre autorët e grabitjeve të armatosura. “Sa i përket moshës, 653 nga kryerësit e njohur janë të rritur, shtatëdhjetë të mitur dhe dhjetë fëmijë”, thonë nga policia. Të miturit janë kryesisht kryerës të vjedhjeve të zakonshme dhe kryesisht janë persona që edhe më parë kanë kryer vepra dhe kanë vuajtur dënime me burg. Kur bëhet fjalë për vjedhje dhe plaçkitje në ndërtesa të vogla në zonat fqinje, përvojat e policisë tregojnë se autorët e krimit janë kryesisht hajdutë lokal të cilët i kanë të njohura kushtet dhe mjedisin dhe më lehtë e kryejnë krimin dhe pastaj ikin.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.