Ministri Venko Filipçe thotë se numër i madh i spitaleve brenda qytetit të Shkupit do të thotë ulje të presionit në nivelin terciar të mbrojtjes shëndetësore, kryesisht, frekuencë të lartë të kushteve mjekësore. Kjo sipas ministrit mund të realizohet edhe përmes inkuadrimit dhe përgatitjes së studentëve dhe nxënësve në shkollat e mesme të mjekësisë
Delvina KËRLUKU
Shkup, 13 shtator – Një nga problemet e mprehta me të cilat po përballet aktualisht Ministria e Shëndetësisë është shpërndarja jo e njëtrajtshme e personelit mjekësor. Kjo vjen si pasoje e braktisjes nga ana e mjekëve të zonave të vështira rurale, dhe spitaleve të qytetit, si edhe për shkak të lëvizjeve të brendshme migruese të popullsisë, që e bëjnë të vështirë planifikimin e nevojave për shërbime mjekësore. Ministria e Shëndetësisë ende nuk zotëron një plan të plotë të burimeve njerëzore në sektorin e shëndetësisë, i cili të bëjë parashikime afatmesme e afatgjate mbi lëvizjet e largimet e mjekëve të përgjithshëm apo specialistët e kategorive të ndryshme, daljet në pension etj, që janë të domosdoshme me qëllim që të ruhet ekuilibri midis “prodhimit” të burimeve të reja njerëzore me këto lëvizje. Ministria e Shëndetësisë e ka parë të arsyeshme që në këtë periudhë të merr iniciativë për shpërndarjen e spitaleve urbane në pika të shumta në qytetin e Shkupit. Mirëpo, Kryetarja Gordana Beshlliovska nga unioni i motrave medicinale “Për ne” thotë për gazetën Koha, se shqetësimi i mungesës së mjekëve dhe pajisjeve për shërbim të kompletuar mjekësor, mund të jetë pikë pengese për realizimin e projektit të ministrisë, për disperzimin e spitalit, por si ide ata e përkrahin. “ Duhet kapacitete për të arritë të realizohet ajo ide, ne në spitalin “8 shtator”, nuk kemi gjinekologji, sepse afër nesh është spitali i gjinekologjisë të Çairit dhe poashtu spitali “Sistina” dhe kjo ndoshta e bën që të ketë mungesë të këtij reparti. Megjithëse, për degët e disperzuara të spitalit është një ide e mirë. Mirëpo, për moment ne kemi mungesë të kuadrit të infermierëve në të gjithë spitalet ekzistuese dhe kjo do të mbetet problem. Kjo nënkupton se nuk mund të përmbushim shërbimet shëndetësore për të gjithë qytetarët, edhepse hapja e reparteve të reja është në dobi të qytetarëve”, thotë Beshlliovska. Funksionimi i spitaleve, në aspekt të infrastrukturës, të qasjes së pacientit vetëm në Maqedoni klinikat janë në qendër të qytetit, që njerëzit vdesin deri sa të arrijnë në spital, kur flasim për shërbime shëndetësore terciare dhe sekondare. Dr. Shaban Memeti, nga Instituti i Shëndetit Publik, thotë për gazetën Koha, se shteti duhet të bëjë përpjekje për një planifikim sa më racional të zhvillimit të shërbimeve shëndetësore në nivel kombëtar, përfshirë këtu edhe një proces alokimi sa më të arsyeshëm të spitalit të shëndetësisë. “Ministria e shëndetësisë të bëjë mundësinë që çdo qytetar të ketë qasje më të lehtë e më të drejtpërdrejt ndaj institucionit shëndetësor. Sepse në klinikën tonë me orë të gjata pacienti nuk mund të gjejë parking e jo më shërbime të tjera. Mirëpo, problemi është se se sa do të zgjas projekti, në çfarë infrastrukturë do të ngritet dhe cili do të jetë kuadri”, thotë Memeti. Ai shton se do të duhet të krijohet një sistem të burimeve njerëzore shëndetësore të plote e të aftë për të realizuar me sukses funksionet e tyre në ruajtjen dhe përmirësimin e shëndetit të popullatës. Poashtu, shpërndarja e degëve të spitaleve nuk duhet të jetë e destinuar vetëm në kryeqytet, por edhe në qytetet e tjera të vendit të mbipopulluara. “Nëse flasim për qasjen e qytetarit në institucione shëndetësore, kjo nuk duhet të vlejë vetëm në Shkup, kjo vlen edhe për Tetovën, Kumanovën, Gostivarin, që qasja të jetë direkte për qytetarin dhe shpejtë të kryej shërbimin shëndetësor dhe e dyta duhet të rritet kapaciteti shëndetësor qoftë terciare apo sekondare”, thotë Memeti. Mirëpo, ministri Venko Filipçe thotë se numër i madh i spitaleve brenda qytetit të Shkupit do të thotë ulje të presionit në nivelin terciar të mbrojtjes shëndetësore, kryesisht, frekuencë të lartë të kushteve mjekësore. Kjo sipas ministrit mund të realizohet edhe përmes inkuadrimit dhe përgatitjes së studentëve dhe nxënësve në shkollat e mesme të mjekësisë. “Të gjithë që punojmë në sistemin e kujdesit shëndetësor kanë një qëllim kryesor – t’u sigurojmë pacientëve shërbime më të larta shëndetësore. Shkupi është vend i mbipopulluar dhe ka trafik të ngjeshur dhe mbi 100.000 qytetarë që lëvizin. Prandaj, qyteti ka nevojë për të pasur më shumë spitale, spitale këto me kapacitetin logjistik për të marrë një numër të konsiderueshëm të pacientëve me diagnozë të ndryshme, të natyrave të ndryshme dhe siç dihet ka shumë shpesh nevojë për reagime urgjente”thotë ministri Filipçe.