Nga kompania e transportit publik thonë se janë në përfundim të procedurës për huazim për blerjen e autobusëve të rinj, kurse do të ketë dhe mbajtëse biçikletash
Qefser ABDYLI
Shkup, 29 shtator – Cilësia e autobusëve të kompanisë së transportit publik nuk i plotëson nevojat e qytetarëve, të cilët çdo ditë kanë probleme në arritjen me kohë deri te destinacionet e caktuara. Vetëm shtatë vjet pas blerjes së autobusëve të rinj ukrainas dhe kinez, situata me automjetet është dëshpëruese. Më shqetësuese për qytetarët është se ata tani duhet të udhëtojnë me autobusët e vjetër, të cilët deri tani vetëm se ishin harruar, shkruan gazeta KOHA. Nga NPQ nuk e fshehin që autobusët e rinj të blera nga Ukraina janë në gjendje shumë të dobët, ndërkohë që ka probleme dhe me autobusët kinez dykatësh, kryesisht për shkak të mungesës së përfaqësuesit të tyre të autorizuar, dhe automatikisht nuk ka asnjë mundësi për shërbim dhe mbështetje teknike në kohë.
Për të siguruar një cilësi më të mirë të transportit publik, Qyteti i Shkupit tashmë ka paralajmëruar blerjen e autobusëve të rinj, të cilët, nga ana tjetër do të kenë edhe bartës të biçikletave. Në një nga deklaratat e tij mbi transportin alternativ, kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, vuri në dukje se në procedurën për blerjen e autobusëve të rinj do të ketë dhe mbajtëse biçikletash.
Qytetarët me tallje thonë që tani me këta autobusë që janë, shoferët nuk presin të hypin dhe ua mbyllin dyert para hundëve, e lërë më të presin që ti hypin dhe biçikletat. Ata kërkojnë që autobusët me dysheme të ulëta të kenë barrikada të pjerrëta, të cilat shkëlqyeshëm do t’ju përshtaten personave me invaliditet, në mënyrë që karrocat më lehtë mundë të futen në autobus. “Çdo ditë udhëtoj më autobus dhe çfarë nuk shoh. Para disa ditëve duke qëndruar në stacionin e autobusëve, ndërsa një grua që ishte duke pritur, i shkoi deri tek dera autobusit, trokiti për t’ia hapur derën shoferi, mirëpo ai jo vetëm që nuk ia hapi derën por filloi dhe të bërtas me ton të lartë, duke lëshuar fjalë vulgare në drejtim të gruas. Ajo u detyrua të largohet dhe të presë autobusin tjetër. Sa herët që ndokush vrapon pas autobusit, ai ia mbyll derën para hunde, e lëre ta pres për ta ngarkuar dhe biçikletën”, thotë një banore e Shkupit, Zh.T.
Nga kompania e transportit publik thonë se janë në përfundim të procedurës për huazim për blerjen e autobusëve të rinj dhe do të paguhet nga NPQ-Shkup”.Shuma totale e huamarrjes është 10 milion euro, me një periudhë mospagimi prej tre vjetësh. Periudha e riparimit është shtatë vjet. Qyteti i Shkupit obligoi dhe garantoi në mënyrë të pakushtëzuar dhe të gjitha pagesat e NPQ-së që rrjedhin nga marrëveshja e huas. (koha.mk)