Omer XHAFERI
Shkup, 4 shkurt- Apelet e vazhdueshme të autoriteteve përgjegjëse për sigurinë në komunikacionin rrugor, në drejtim të ngritjes së vetëdijes së shoferëve gjatë vozitjes, aspak nuk kanë ndikuar aspak që “Pikat e zeza” të bulevardeve ku ndodhin aksidente tragjike, të largohen nga lista rrugëve më të rrezikshme në kryeqytet, shkruan gazeta KOHA. Shpejtësia e madhe, mos respektimi i sinjalizimit të komunikacionit dhe rregullave tjera si dhe vozitja në gjendje në alkoolizuar, edhe më tej paraqesin shkaqet më të shpesh sepse janë shtuar aksidente mes automjeteve në kryeqendër. Këtë lajë e kanë konfirmuar po ashtu edhe nga Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacion (KRSK), të cilët potencojnë se mungesa e kulturës në komunikacion mund të shkaktojë pasoja të rëndë, në rast se nuk i kushtohet rëndësi pikave kritike nëpër rrugët e Shkupit. Bulevardet më të rrezikshme sipas këtij këshilli janë “Teodosij Golloganov” në Komunën Qendër, “Boris Trajkovski” në atë të Kisella Vodës, “Leka i Madh” në Aerodrom nga njëra anë dhe “Cvetan Dimov” në Çair, “Brigada e Dytë Maqedonase” në Butel dhe rruga “Gjorçe Petrov” në po të njëjtën komunë. Për të parandaluar aksidente tragjike, në veçanti kalimin e rrugës në mënyrë të parregullt, autoritet e Qytetit të Shkupit vitin e kaluar në një pjesë të bulevardit “Kërste Misirkov”, në afërsi të tregut të Bit Pazarit, e ndërtuan një gardh të hekurt, i cili në masë të madhe ka kontribuar që qytetarët t’i qasën kalimeve për këmbësor. Por, fatkeqësisht, deri më sot pas shumë premtimeve, rruga e “Plastikave” dhe disa rrugë tjera në Çair, që janë nën kompetenca të qytetit, janë në gjendje të mjerueshme dhe larg standardeve me pjesën tjetër të rrugëve në kryeqytet. Sidoqoftë, në Strategjinë e dytë kombëtar për siguri në komunikacionin rrugor, parashihet reduktimi i këtyre “Pikave të zeza”, mbikëqyrje më e lartë në akset e rrezikshme dhe vendkalimet për këmbësore, si dhe ndriçim më i lartë i rrugëve. Përpos këtyre konstatimeve që pritet të zbatohen, në këtë strategji është paraparë edhe edukimi i fëmijëve nga mosha parashkollore për respektimin e rregullave dhe kulturës së komunikacionit. Ndërsa, kur përmenden aksidente e ndodhura, aty thuhet se policia dhe ndihma e shpejtë duhet të paraqiten për një kohë sa më të shpejtë në vend ngjarje. Vitin e kaluar statistikat zyrtare thonë se numri i viktimave nga aksidentet në komunikacionet i ka tejkaluar 160 persona të vdekur. Në ndërkohë, kjo shifër në përmasa globale për vitin e kaluar arrin mbi 1 milion viktima nga aksidentet tragjike në komunikacion.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.