Shkup, 20 janar – Skuadra e FC Shkupit sot ka zhvilluar ndeshjen e parë kontrolluese në Antalia, ku po zhvillon fazën kryesore të përgatitjeve dimërore, bën të ditur gazeta KOHA. Për kundërshtar bardhekaltërit kanë pasur skuadrën iraniane Sepahan FC, ku djemtë e trajnerit Umit Karan pësuan me rezultatin 3:1.
Këtë ndeshje trajneri i skuadrës shkupjane e nisi me ekip të kombinuar, ku në ekipin e parë debutoi përforcimi i ri Filip Ristevski, ndërsa gjithashtu luajti edhe Rwatubyaye Abdul, i cili është në testime.
Ndeshja kishte një dinamik të madhe dhe dy ekipet treguan cilësi dhe shumë raste për shënim, ndërsa në radhët e skuadrës bardhekaltër me lojë të mrekullueshme u tregua Viktor Angellov, i cili shënoi golin e vetëm për ekipin, kishte një shtyllë dhe ishte asistues i disa rasteve për futbollistët tjerë të sulmit.
Ndërkohë, FC Shkupi ndeshjen e dytë kontrolluese do ta zhvillojë pas tre dite (23 janar) kundër skuadrës rumune Politehnica Iasi.