Java e fundit në Ligën e parë futbollistike të Maqedonisë do të zhvillohet të dielën. Megjithëse që moti dihet se Shkëndija është kampione e re, nuk do të mungojnë përballjet interesante, pasi ende nuk dihet se përveç Shkëndijës e Vardarit, cilat dy ekipe do të luajnë në Evropë si dhe cilat ekipe do të largohen nga elita e futbollit vendor e kush do të luajë balotazh për mbijetesë
Bujar KURTAJ
Shkup, 20 maj – Shkupi dhe Tetova këtë fundjavë do të jenë në qendër të vëmendjes. Në kryeqytet, respektivisht në stadiumin në Çair, do të zhvillohet sfida mes dy rivalëve më të mëdhenj FC Shkupi dhe Vardari. Një sfidë e cila për Shkupin ka domethënie të madhe, pasi me fitore do të plasohet në garat e Liga Evropës dhe njëherit do të rikthehet në skenën evropiane, ku po mungon për 14-të vite. Ethet e kësaj ndeshje tifozët nga Çairi dhe gjitha lagjet tjera të Shkupit, i kanë kapluar që nga fitorja në Manastir, ku ëndrra e tyre është shumë pranë që të bëhet realitet, ndërsa konfirmimi pritet të ndodh të dielën ndaj Vardarit. Edhe futbollistët mezi presin të dalin në fushë dhe të realizojnë objektivin tjetër, pas asaj të mbijetesës. Cekim, para se të fillojë sezoni, futbollistët dhe kryesia deklaronin se synimi kryesor do të jetë mbijetesa dhe më pas nëse ofrohet mundësia për Evropë, do të tentojnë ta shfrytëzojnë. Dhe ja që kjo mundësi tani ka ardhur, dhe e tëra që u ngel atyre, është që të mundin Vardarin dhe të plasohen në garat Evropiane.
“Jemi në fund të kampionatit, ndërsa pikërisht në ndeshjen e fundit jemi edhe shumë pranë Evropës. Ndonjëherë kur luan me kundërshtarin e përbetuar, mendoj se unë do e kisha dhënë edhe Evropën vetëm për ti fituar ata, por kësaj radhe besoj se do i kemi që të dyja. E ftoj publikun në numër sa më të madh, pasi që vërtet do të jetë një moment emocionues, kur Shkupi pas 14 viteve ka shansin për tu rikthyer në garat evropiane. Kemi treguar se jemi një grup shumë i fortë, jemi në shtatë ndeshje pa disfatë, ndërsa shpresojmë ta mbyllim sezonin me fitoren më të ëmbël, duke e mundur Vardarin”, deklaroi kapiteni i skuadrës Suad Zendeli.
Ndryshe, në Tetovë situata është ndryshe. Shkëndija pasi fitoi titullin që nga java e 29-të, të dielën para tifozëve të saj, në përballjen me Pelisterin, zyrtarizon titullin e kampionit, ndërsa futbollistët për të dytën herë në historinë e klubit, do të marrin trofeun në duar dhe të njëjtën do ta ngrenë lartë. Stadiumi pritet të jetë i mbushur, “Ballistët” premtojnë spektakël, ndërsa pas ndeshjes, festa do të vazhdojë në sheshin “Iliria”, ku klubi ka përgatitur një festë të madhe, festë në të cilën do të marrin pjesë edhe këngëtarët Elita 5, MC Kresha, Lyrical Son, P.I.N.T., Kastriot Tusha, Xhevdet Jashari, S4MM, ILLMILL, Dj NIKK dhe Daris. Ndërkohë, nën hije të këtyre dy përballjeve, do të zhvillohen edhe tre tjera. “Skopje” do të kërkojë mbijetesën ndaj Rabotniçkit në “Filipi i dytë”. Por, pikët u nevojiten edhe “romantikëve” të cilët nuk e kanë të siguruar ende pjesëmarrjen në Liga Evropë.
Derisa, Evropën e kërkon edhe Sileksi, e cila do të përballet me Akademia Pandevin. Skuadra nga Kratova vetëm me fitore do të kërkojë Evropën, por me kusht që Shkupi të humb nga Vardari dhe Rabotniçki të humb nga “Skopje”. Të gjitha ndeshjes e javës së fundit luhen të dielën në ora 16.15
DYSHET:
Rabotniçki – Skopje
Pobeda – Renova
Shkwndija – Pelisteri
A.Pandev – Sileksi
Shkupi – Vardari