Më 7 shkurt të vitit 1947, kur u shqiptuan dënimet e rënda për të gjithë (me vdekje – pushkatim u dënuan Azem Marana, kapiten Hysni Rudi, Mehmet Bushi dhe Qemal Skenderi kurse të pesëmbëdhjetët të tjerë u dënuan me burgim prej 2 deri më 20 vjet), në korridorin e krijuar, në reshtin e parë u gjetëm edhe ne. Kur Azem Marana, në përcjellje të dy milicionerëve, na pa, përsëri e ngadalësoi hapin, i zbehur në fytyrë, buzëqeshi dhembshëm e na tha: “Vazhdoni me shkollimin”
Nga Naxhi NDOCI
Ditë e kthjellët e 13 nëntorit. Jehonte brohoria ngazëlluese e qytetarëve se erdhi dita e lirisë. Të dalë nëpër rrugë, zgjateshin duar, shtrëngoheshin të përcjellura me buzëqeshje të sinqerta. Nuk u prit shumë. Filluan veprimtaritë shoqërore, kulturore e posaçërisht arsimore.
Ata pak intelektualë shqiptarë ëndërronin për hapjen e shkollës në gjuhën amtare. Në këtë drejtim pa pushuar veproi edhe arsimdashësi i mash, Azem Marana, i cili sapo kishte mbaruar shkollën normale “Sami Frashëri” në Prishtinë. Me të dëgjuar ardhjen e Hasan Bilallit në Shkup, filluan intenzivisht punën rreth hapjes së shkollës fillore në gjuhën shqipe në Shkup. Pas shumë përpjekjeve të bëra në organet shtetërore e të qytetit të Shkupit arritën qëllimin e më 1 dhjetor të vitit 1944 filloi nga puna shkolla fillore e emërtuar “Liria” në oborrin e xhamisë “Jahja pasha”, godinë kjo e vjetër e fillores “Vuk Karaxhiq”.
ORA E PARË E MËSIMIT SHQIP
Gjatë okupimit bullgar, që në vitin 1941 u hap medreseja “Alije” në oborrin e xhamisë “Isa beg”, shkollë kjo fetare po edhe me lëndë të një shkollimi laik. Tri klasat e para në këtë medrese më avancuan regjistrimin në lasën e katërt të shkollës “Liria”.
Ora e parë pritej me kërshëri nga të gjithë ne, të cilët që më parë kishim mësuar në shkollat fetare e në gjuhën turqishte. Në klasë hyri zoti Azem Marana. Na vështroi me dashuri të madhe, buzëqeshi e foli “Fëmijë të dashur, unë mësuesi i juaj i parë. Quhem Azem Marana, nga fshati i Shkupit, Marana. Jam drejtor i shkollës dhe kujdestar i klasës së katërt. Ndiej nevojën t’i them disa fjalë që kanë të bëjnë për zhvillimin dhe përparimin e kombit tonë në arsim. Me shekuj kemi qenë të nënshtruar regjimeve të ndryshme e s’kemi patur mundësinë të shkollohemi në gjuhën tonë të bukur shqipe. Erdhi koha që edhe ne të arsimohemi. Ju, nxënës të dashur keni për detyrë të mësoni se vetëm me shkollim do të ecim përpara”.
Këto fjalë të mësuesit të parë Azem Marana, na erdhën aq ëmbël sa sot e kësaj dite nuk më harrohen. Ishin këto fjalë melhem për shpirtin tonë. Na ngrohën zemrën. Na dhanë vullnet të pashoq për të mësuar sa më tepër. Me të përfunduar klasën e katërt, vijuam më tej në vitin e parë të gjysmëmaturës. Vitin e parë e vijuam në një shkollë të vjetër tregtare që gjendej përtej Urës së Gurit, mu në vendin ku sot gjendet Qendra tregtare. Vitin e dytë dhe të tretë e vazhduam në godinën e madhe të gjimnazit femëror “Josip Broz Tito” afër lumit Vardar, ku sot është godina e Qeverisë së Maqedonisë, që u ndërtua pas tërmetit katastrofal, mu në oborrin e këtij gjimnazi.
Tri vitet e progjimnazit kaluan në kushte jo edhe aq të mira ngase na mungonin libra adekuate. Çdo lëndë diktohej nga profesorët. Shërbeheshim edhe me disa libra të botuara në Shqipëri gjatë kohës së okupimit Italian. Sido që të jetë, mësimi zhvillohej me dashuri të madhe nga të gjithë ne ngase profesorët i kishim shumë të aftë. Këtu do të përmendi punën e palodhur të këtyre profesorëve, të cilët kishin një barë të rëndë të na edukojnë në frymën e shkollimit standard evropian. Profesori Koço Floka, Korçar nga Shqipëria, zhvillonte lëndën e matematikës dhe të fizikës me metoda e shpjegime konkrete sepse atëbotë nuk disponohej me kurrfarë kabineti shkollor. Profesori Remzi Prapaniku ishte gjuhtar i sprovuar në arsim, gjegjësisht në zbërthimin e të gjitha modaliteteve morfologjike e gramatikore të fjalës. Përveç gramatikës shqipe, mbante mësim edhe në letërsinë shqipe e begatur nga shumë autorë si nga më të vjetrit ashtu edhe të atyre nga koha e Rilindjes kombëtare. Shpjegimet e tija përplot nyansime të skeptrit të gjerë letrar na lartësonte në hapësirat më të thella të gjinisë artistike letrare. Sa për mua, i gëlltita çdo fjalë të tij, çdo shpjegim qe kishte të bënte me letërsinë. Mund të them se në atë moshë të re që isha, lexova një numër të mirë të veprave të autorëve shqiptar e që të gjitha këta më lanë mbresa të pashlyera dhe që këto u shndërruan në dashuri të madhe për lexim. Profesoresha Olivera Jashari, zhvillonte lëndën e gjeografisë dhe atë të gjuhës maqedonase. Prej saj thithëm njohuri për shumë kuptime gjeografike ngase dispononte me aftësi të jashtëzakonshme të bindjes. Profesori Abdulla Sylejmani me një ton tejet të këndshëm na fliste për ngjarje historike, për të kaluarën tonë të lashtë, për fiset ilire që zotëronin siujdhesën ballkanike, për pushtimet e mëdha të Lekës së Madh, i cili nga origjina e tij ishte ilir si nga ana e gjyshes së tij, Euridika, nëna e Filipit të dytë, që ishte nga fisi ilir Linkestis, kurse e ëma, Olimpia, gruaja e Filipit te Dytë, ishte bijë e Neoptolemit të Parë, mbret i njohur i Epirit ilir. Njohuritë nga e kaluara historike të të parëve tanë ishin jashtë programit të hartuar të lëndës së historisë, por ai fliste për to me emocion e krenari, që këto ndjenja i mbolli thellë në shpirtin tonë. Më kujtohet mirë, se rrugës për të kthyer në shtëpi në orët e para të errësirës së muajve dimërore, bisedonim me shokët, i komentonim po kështu më krenari e qe besa edhe në do raste mbureshim me to. Kthimi përmes Urës së Drurit, duke i ngjitur përpjetëzës së Kalasë e tatëpjetë për në lagjen tonë Mëhalla e Thatë, kalonte shpejtë. E kur arrija në shtëpi, ende nën ndikimin e mësimit të marrë nga profesori i historisë, ia tregoja babait, vëllait e të shoqes, të cilët më përcillnin me sy të qepur e pa zë. Lëndën e gjuhës ruse na e mbante profesori Qurçiev. Sinqerisht të them, këtë mësim nuk e çmonim shumë, por e mësonim e tregonim sukses ngase ishte gjuhë sllave e ngjashëm me maqedonishten. Lëndën e vizatimit, (të artit të pikturës) njëherë në javë e mbante profesori Abdulla Sulejmani, kurse lëndën e fizkulturës një profesor maqedonas i gjimnazit femëror.
FUNDI I SEMIMATURËS
Vitin e parë e përfundova me sukses të shkëlqyeshëm. Me sukses të shkëlqyeshëm përfunduan edhe disa shokë të mi. Edhe të tjerët në klasë, e ishim nëntëmbëdhjetë, e dolën me sukses të mirë kështu që pas pushimeve verore të gjithë do ta vazhdonim vitin e dytë të progjimnazit. Por gjatë pushimeve u përhap lajmi se disa arsimtarë me në krye Azem Maranën janë burgosur për aktivitetin e tyre, siç thuhej antipopullor, pra kundër shtetit. Burgosja e tyre na pezmatoi pa masë sepse pak gjë dinim për veprimtarinë e partisë Nacional Demokratit Shqiptar. Çdo gjë flitej. Lajmet shpesh ishin kontradiktore. Burgosja e Azem Maranës na pezmatoi shumë. Ne që ishim nxënësit e tij nuk u besonim fjalëve të rënda që na arrinin nga ata që ishin bindur pushtetit e sidomos nga bashkëqytetarët maqedonas. Jam i bindur se në shumë familje shqiptare në Shkup e në të gjitha trojet shqiptare është biseduar e diskutuar për situatën e krijuar me burgosjen e arsimtarëve pishtar siç ishin Azem Marana, Hasan Billallit, Mamut Dumani, Qemal Skenderi, Jonuz Bella, Kapiten Hyseni Rudi, Mehmet Bushi dhe shumë të tjerë në qytetet shqiptare. Burgosja e tyre pati jehonë të madhe edhe jashtë republikës sonë po edhe në botë. 26 korriku i vitit 1946 ishte pikëlluese për të gjithë ne.
Fillimi i vitit të dytë të semimaturës na solli edhe ndërrimin e shkollës. Nga shkolla tregtare, na vendosën në katin e tretë të gjimnazit femëror “Josip Broz Tito” rreth Vardarit. Vendosja në këtë godinë ishte më i përshtatshëm për ne sepse e konsideronim vetën shkollarë të vërtetë në një shkollë që gumzhonte gjatë mbajtjes së mësimit si në turnin e paradites ashtu edhe në atë të pasdites. Mund të them se mësonim me zell, por gjithnjë ishim të ngarkuar me faktin se arsimtarët tanë pishtarë gjenden pas grilave.
Përmes shtypit dhe radios u lajmërua se gjykimi i të nëntëmbëdhjetë të akuzuarve të burgosur të NDSH-së do të fillonte me 30 janar e do të mbahet në shtëpinë e postës (Poshtanski dom) që gjendej pak më larg nga gjimnazi femëror. Që nga fillimi i gjykimit, pas orëve të paraditës, unë me disa shokë (Amir Gashi, Refik Selimi, Nazmi Kajtazi) përveç të shtunës dhe të dielës, shkonim për ta përcjellur gjykimin. Në oborrin e godinës ku mbahej gjykimi gjenim përplot qytetar, që asistonin në këtë gjykim publik, por që brenda në sallë të madhe nuk kishte vend për ta. Dy ditëve të fundit arritëm të afrohemi kordonit të njerëzve që pritnin për ti parë të burgosurit. Qëndronim në reshtin e parë kur në përcjellje të milicëve dolën të burgosurit me krye me Azem Moranën për të transmetuar në burg. Me të afruar zoti Azem Marana na diktoi. Na shikoi me plot dashuri dhe na belbëzoi qartë, tha: “Mësoni”. Milicioneri pranë tij ia shtrëngoi krahun dhe e shtyri të heqë më shpejt.
Një ditë më vonë, më 7 shkurt të vitit 1947, kur u shqiptuan dënimet e rënda për të gjithë (me vdekje – pushkatim u dënuan Azem Marana, kapiten Hysni Rudi, Mehmet Bushi dhe Qemal Skenderi kurse të pesëmbëdhjetët të tjerë u dënuan me burgim prej 2 deri më 20 vjet), në korridorin e krijuar, në reshtin e parë u gjetëm edhe ne. Kur Azem Marana, në përcjellje të dy milicionerëve, na pa, përsëri e ngadalësoi hapin, i zbehur në fytyrë, buzëqeshi dhembshëm e na tha: “Vazhdoni me shkollimin”. Fjalët e tij na u ngulën si thika në zemër. Këto fjalë – emanet të tij kurrë së kurrës s’do t’i harroj. Qemal Skenderit nga gjyqi suprem i Beogradit, me urdhrin e Komitetit qendror të partisë, dënimi me vdekje iu shndërrua në burgim të rëndë 20 vjeçar, kurse të tre të tjerët u pushkatuan. Sot e kësaj dite nuk i dihet varri i Azem Maranës.
U varguan muajt e vitit rrjedhës. Në mësime kaloi edhe viti i tretë e arriti 25 maji i vitit 1948. Atë ditë maji, e martë, në orën e letërsisë, kur profesori Remzi Prapaniku na fliste për romanin e njohur të Sami Frashërit, “Dashuria e Talatit me Fitneten”, në klasë hyri profesor Koço Floka, i skuqur në fytyrë. Kërkoi nga profesor Remzi leje për një informim të shkurtër. Na u drejtua duke na shikuar të gjithëve me rend, tha:
– Nxënës, thoni baballarëve, nesër pasdite, këtu, të vinë në mbledhje prindërore. Mos të mungojnë se do të kemi një bisedë me rëndësi. Kaq.
Doli nga klasa me hap të shpejtuar. Ne u shikuam në mes veti. Profesori na tërhoqi vëmendjen dhe vazhdoi me sqarimin mbi romanin. Ftesën e bërë nga kujdestari i klasës ia thash babait. Ai, të nesërmen në kohë të caktuar vajti në gjimnaz në mbledhjen prindërore. Pasditja më kaloi në pritje e hamendje se vallë çfarë është diskutuar në atë mbledhje. Pasi drekuam, iu drejtova babait të na tregojë se çfarë u tha krejt në atë mbledhje prindërore. Ai, pasi tymosi kamishin, tha:
– Kujdestari i klasës, Koço Floka na informoi se qëndrimi i pushtetit qenka që me progjimnazin të marrë fund shkollimi i nxënësve shqiptarë. Për këtë, ai është i mendimit që një delegacion prindërish të drejtohen sekretarit republikan për sqarim. Në mbledhje u bë fjalë se cili prej nesh të caktohet në atë delegacion. Pas shumë mendimeve të shtruara erdhën në përfundim që delegacionin të udhëheqë Koço Floka, por pasi ai nuk zotëronte me maqedonishten, në grup të jetë profesoresha Olivera Jashari, kurse prej prindërve më caktuan mua – tregtar në Çarshinë e Shkupit, z. Memedali Gjilanasin si nëpunës dhe Halil Sadikun – qylahçiun si mjeshtër – zanatli. Nesër është paraparë vizita jonë në Sekretarijatin republikan për arsim.
Me padurim pritja kthimin e babait nga ajo mbledhje, që u mbajt pasdite. Në mbrëmje në vizitë na erdhi Daja Shaban. U prit me mirëseardhje. Shakatë që i bënte ai me vëllain Metën e me fëmijët, ishin aq mirëpritëse sa gati të gjithë qesheshin shpotive të bëra. Nuk vonoi e babai u kthy nga mbledhja. Përshëndetja me Dajën ishte miqësore. Para se të shtrohet ngrënja e darkës, pyetjes së Dajës Shaban, babai u shfry e tha:
– Çfarë të them or Shaban? Pasi jemi në dorën e tyre, bëjnë si të dëshirojnë.
– He, Shaip, si u ndatë, hë?
– Ashtu si kanë vendosur atë.
– Pa na thuaj de, – kërceu vëllai.
– Fjalën në fillim e mori profesori Koço Floka, duke e përkthyer në maqedonishte profesoresha Olivera Jashari. E ai tha se kombi shqiptar ka nevojë të madhe për shkollimin e mëtejshme të fëmijëve, se vetëm kështu do të mund të ecim krahas popujve të tjerë të emancipuar, e kështu me radhë. Sekretari e dëgjoi heshtur. Pasi ai përfundoi fjalën, na u drejtua duke na vështruar një nga një. Tha:
– Qëndrimi i tashëm është se me semimaturën përfundon shkollimi. Kaq mund të them se ndoshta në të ardhmen mund të ndryshojë çështja.
Përgjigjen e tij nuk e pëlqyem. Memedaliu u lëkund në vend, na shikoi neve e me buzë të dridhur tha:
– Nuk e kuptoj këtë qëndrim. Kjo do të thotë se ne fëmijët ti lëshojmë sokakut, hë? Pse luftuam, shoku sekretar, hë?
– Ju thash se ndoshta në të ardhmen ndryshon ky qëndrim – tha sekretari dhe e fërkoi ballin. Na shikoi e tha:
– Kështu është qëndrimi nga Beogradi.
Seç mu dha e u bashkëngjita bisedës, thash:
– Shoku sekretar, me leje të ju pyes: Po nëse Beogradi bie dakord me këtë kërkesë që do t’ia drejtoni si Sekretariat, çfarë qëndrimi do të merret?
Më shikoi pak vëngër. I çoi vetullat e mu drejtua:
– Ju, cili ishit?
– Shaip Ndoci, tregtar në Çarshi të Shkupit.
– Pyetja juaj ka të bëjë me konsultime të gjatë? Po edhe nëse Beogradi merr qëndrim që duhet hapur gjimnazin e plotë, ne si Republikë jemi i një mendimi tjetër. Kjo çështje është diskutuar në Komitetin qendror të Partisë ku është marrë vendimi se me kaq përfundon shkollimi. Për më tutje s’kam çfarë të them.
– Megjithatë nëse diç ndryshon në këtë drejtim, çka bëhet? – pyeta
– Ju informojmë. Sa për tani mund t’i regjistroni fëmijët në gjimnazin mashkullor në maqedonishte. Kaq. Ju faleminderit për vizitën.
Desha të them edhe diçka nga mllefi që mu grumbullua në kraharor, por Koço Floka më kapi për krahu në shenjë të heshti. Kështu dolëm pa kryer punë.
Gati një muaj më parë ishim të informuar që qëndrimi i tashëm është se nxënësit me sukses të shkëlqyeshëm nuk do t’i përvishen provimit të gjysmëmaturës. Pas një jave, sa kishin mbetur ditë për fundin e vitit shkollor, profesori Koço Floka në orën e kujdestarisë na informoi se viti përfundon me tre nxënës të shkëlqyer që do të lirohen nga provimet e gjysmëmaturës e 16 të tjerë do t’i shtrohen provimit. Me sukses të shkëlqyer dolën unë, Amir Gashi dhe Refik Selimi.
Në sekretariatin për arsim u informuam se ka nevojë për kuadro medicinale edhe atë për teknikë të rëntgenit. Shkollë e tillë mesatare medicinale paska në Zagreb. Unë dhe shoku im i ngushtë, Shaipi u pajtuam të vemë në Zagreb. Edhe i shtruam dokumentet për atë shkollë. Djali i xhaxhait të Shaipit, Nevzat Gjinaj studionte medicinën në Zagreb. Ai ishte informuar shpejt e lajmëron me telefon se kurrsesi nuk paskësh vend në konviktin gjegjës. Vajtja jonë në Zagreb u pezullua.
Gjenerata e parë e semimaturantëve shqiptarë prej 19 nxënësish përfundoi shkollimin në gjuhën e vet amtare pa patur mundësinë të vazhdojnë më lartë. Në fotografinë e vetme që e kam me shokët e klasës në progjimnaz në gjuhën shqipe janë: Muamer Limani, Nazmi Kajtazi, Amir Gashi, Qenan Alishani, profesori (kujdestar i klasës) Koço Floka, Ramiz Hasani, Zekerija Ramadani, Viktor Kajtazi, Viktor Mihilli (në këmbë), Marsel Kajtazi, Aziz Ramadani, Refik Selimi, Behixhe Nazifi, Kimete Sadiku, Nehal Haliti, Remzi Çoku, Medi Ibrahimi, Naxhi Ndoci (të gjunjëzuar), Vullnet Starova dhe Shaip Gjinaj (të shtrirë). Prej shokëve të klasës me hapjen e rrugës për shpërngulje në Turqi, tetë u shpërngulën atje, një u shpërngul për në Francë, një në Australi, kurse nëntë prej nesh ngelën në vendlindje. Gjashtë prej nesh u regjistruam në gjimnazin “Cvetan Dimov” në gjuhën maqedonase, (unë, Shaip Gjinaj, Refik Selimi, Amir Gashi, vëllezërit Viktor dhe Marsel Kajtazi. Në shkollën e mesme të medicinës u regjistrua Vullnet Starova. Në normalen e mëvonshme mësimet i vijuan Kimete Sadiku dhe Nehal Haliti). Disa prej nesh iu përmbajtëm amanetit të Azem Maranës. Vazhduam shkollimin e lartë. Vullnet Starova diplomoi medicinën dhe fitoi shumë poste në lëminë gjegjës e më vonë u emërua për kryetar të Kuvendit republikan në mandatin katër vjeçar (prill 1986 – janar 1991), unë vijova në Albanologji e iu kushtova gazetarisë e më vonë shkrimit letrar, Kimete Sadiku u bë profesoreshë e gjuhës dhe letërsisë shqipe, Amir Gashi iu kushtua juridikes si dhe Marsel Kajtazi në juridik, kurse i vëllai Viktor Kajtazi në ekonomi. (koha.mk)