Pas hapjes së modeleve “one stop shop” në vendkalimin kufitar Tabanoc dhe nënshkrimit të marrëveshjeve për operatorë të autorizuar ekonomik, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut tashmë punon në implementimin e marrëveshjes nga takimet për “Shengenin e vogël”, deklaroi sot kryeministri Zoran Zaev pas mbylljes së Forumit të katërt rajonal rinor në Novi Sad.
“Aktualisht punojmë në Ligjin për të huaj për marrjen e lejeve të punës dhe shpresoj se deri në dhjetor ai do të kalojë në Kuvend, me të cilin të gjithë qytetarët e mbarë rajonit në cilindo vend do të jenë të njëjtë si edhe qytetarët e vet vendit dhe nuk do të kenë nevojë gjashtë muaj të presin leje pune nga tërë procedura që ekziston”, deklaroi Zaev.
Ai shtoi se “punohet edhe në njohjen e dokumentacionit që i lëshojnë agjencitë përkatëse , ndërsa me njohje të ndërsjellë do t’i tejkalojmë apo nuk do të ketë aspak nevojë për kontrolle të shërbimeve fitosanitare, Agjencia për ushqim dhe veterinari dhe shërbimet tjera të cilat duhet ta integrojnë këtë sistem, dhe një leje e lëshuar prej cilitdo vend do të jetë e pranueshme për të gjitha shtetet.
“Punojmë edhe në lidhjen informatike dhe besojmë se do të arrijmë në këtë pjesë dhe në vijim janë edhe projekte të tjera”, deklaroi Zaev duke vlerësuar se me këtë dëshiron të tregojnë zgjidhje praktike nga deklaratat e nënshkruara, që do të jetë presion i mjaftueshëm i institucioneve më shpejtë të sjellin zgjidhje ligjore.
Siç njofton korrespondenti i MIA-s , kryeministrja serbe Ana Bërnabiq, nga ana e saj, ka theksuar se edhe Serbia ka ngritur disa nisma për implementimin e marrëveshjes në Novi Sad dhe Ohër.
Ajo si shembull të bashkëpunimit të suksesshëm e theksoi hapjen e “vendkalimit kufitar një sportel”, i cili siç tha mund të funksionojë më mirë sepse do të lidhet në mënyrë elektronike me doganat dhe inspeksionin fitosanitar.
Në margjinat e Forumit të katërt rinor në Novi Sad, Zaev dhe Bërnabiq realizuan takim dypalësh ku temë qendrore ishte angazhimi i përbashkët për vazhdimësi në ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe përmirësimin e tyre më tej si një kontribut për stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e rajonit.
Siç informon shërbimi qeveritar për media në takim është vlerësuar se në këtë drejtim të realizimit të këtyre angazhimeve rëndësi të posaçme kanë takimet intensive në nivel presidencial dhe kryeministrave në tre-katër muajt e fundit në Maqedoninë Veriore dhe në Serbi, si dhe takimet në forumet rajonale.