Maqedonia, të cilës nga Këshilli mbarëshqiptar iu caktua detyra për të marrë përsipër shënimin e Kongresit të Manastirit, do të dështojë në zhvillimin e aktiviteteve qendrore. Përveç shqetësimit të Muzeut të Alfabetit lidhur me qytetin se ku do të zhvillohet manifestimi qendror, në Shkup apo Manastir, edhe përfaqësues të Maqedonisë në Këshillin mbarëshqiptar janë të alarmuar nga neglizhenca institucionale për hartimin e programit qendror
Evis HALILI
Shkup, 16 tetor – Jubileu i 110-të i Kongresit të Manastirit nuk do të shënohet me të gjitha nishanet dhe nderimet e pritshme shtetërore. Sekretariati për Implementim e Marrëveshjes së Ohrit edhe pse ka në dispozicion një buxhet për këtë ditë, akoma nuk ka hartuar Programin e manifestimeve, e për rrjedhojë – as mund të aktivizojë këtë fond, shkruan gazeta KOHA.
Kjo ka bërë që Maqedonia, së cilës nga Këshilli mbarëshqiptar iu caktua detyra për të marrë përsipër shënimin e Kongresit të Manastirit, të dështojë në zhvillimin e aktiviteteve qendrore. Përveç shqetësimit të Muzeut të Alfabetit lidhur me qytetin se ku do të zhvillohet manifestimi qendror, në Shkup apo Manastir, edhe përfaqësues të Maqedonisë në Këshillin mbarëshqiptar janë të alarmuar nga neglizhenca institucionale.
Në këtë vit jubilar po ashtu jo vetëm që nuk do të arrijë të jepet as çmimi shtetëror “22 Nëntori”, i cili u miratua nga Parlamenti në muajin maj të këtij viti, por as Komisioni për dhënien e çmimit akoma nuk formuar zyrtarisht. Edhe pse janë bërë publike emrat e anëtarëve të tij, ata ende nuk kanë marrë vendimet për emërimet në këtë komision.
Për drejtorin e ITSHKSH-së, Skënder Asani, koha ka mbaruar, ashtu si edhe shansi për shënimin dinjitoz të kësaj date historike.
“Nëse 550 vjetori i vdekjes së heroit kombëtar – Skënderbeut zhvillohej në Tiranë, përvjetori i Lidhjes së Prizrenit në Kosovë, 110 vjetori na u përcaktua neve që të merreshim me organizimin dhe bashkëpunimin me Tiranën dhe Prishtinën. Jo se 110 vjetori nuk do të festohet me aktivitete dhe në formën që e bëjmë çdo vit, por ajo që pritej – shënimi në nivelet më të larta shtetërore, nuk do të ndodhë dhe ne do të zhvillojmë aktivitetet tona si ITSHKSH. Edhe koha për të bërë diçka ka mbaruar, na ndajnë shumë pak ditë që nuk janë të mjaftueshme për të realizuar atë që pritej nga ne. Sekretariati nuk ka gati as Programin, nuk ka përcaktuar as buxhetin dhe nuk e dimë se çfarë do të financohet. As nga Ministria e Kulturës po ashtu nuk ka asgjë të përcaktuar, përveç manifestimeve më të vogla”, thotë Skënder Asani, përfaqësues në Këshillin Mbarëshqiptar për shënimin e Vitit të Gjergjit.
Në informacionet zyrtare, SIMO ka në dispozicion një shumë prej 5 milionë denarë për të shënuar jubileun e 110 vjetorit të Kongresit të Manastirit, por prej disa javësh nga ky institucion nuk japin asnjë lloj komenti as lidhur me manifestimet, por as me qytetin që do të jetë kryeqendra e shënimeve.
Shumë ngjarje që u paralajmëruan këtë vit si më të rëndësishmet për shënimin e jubileut akoma nuk kanë filluar të realizohen. Një prej tyre është opera “Skënderbeu”, e cila duhej të ngjitej në skenë nga Opera dhe Baleti i Maqedonisë.
Në ndërkohë Tirana, Prishtina dhe Shkupi janë angazhuar në shënimin e disa prej datave të Vitit të Gjergjit, ndërsa institucionet e shkencës dhe artit kanë shfrytëzuar mundësinë për të lidhur marrëveshje dhe nënshkruar memorandume bashkëpunimi pas zhvillimit të aktiviteteve të përbashkëta. (koha.mk)