Shkup, 8 maj – Me këngë, lojë dhe aktivitete shëndetësore, në sheshin “Maqedonia” në Shkup, sot u shënua 8 Maji, Dita Botërore e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, ku Posta e Maqedonisë lëshoi në qarkullim një pullë postare me moton e këtij përvjetori, “Buzëqeshje”, raporton Anadoilu Agency (AA).
Pjesëmarrësit e eventit të sotëm, persona nga Qendrat ditore për persona me nevoja të veçanta nga Shkupi, Kërçova, Dibra, Velesi, Kavadari, Dellçeva, Prilepi dhe Gostivari morën pjesë aktive në promovimin e fushatës për mundësi të barabarta të kësaj kategorie njerëzish, njëkohësisht duke apeluar për ngritjen e vetëdijes publike për nevojat e tyre.
Kryetari i Kryqit të Kuq- Maqedoni, Romell Velev, në fjalimin e tij tha se çdo vit, në këtë datë, ata përkujtojnë kontributin e mbi 14 milionë të punësuarve dhe vullnetarëve të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe në rrafsh botëror, të cilët kanë për qëllim të nxisin njerëzit për veprimtari humanitare.
Siç tha ai, krizat të cilat kanë kapluar botën, bëhen gjithnjë e më të ndërlikuara, siç janë dinamika e fatkeqësive natyrore, situata e destabilizuar politike, dhe dyndja e popullatës nga zonat e kapluara nga luftërat, që flasin se aktiviteti i Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe është një nevojë e domosdoshme më shumë se kurrë.
“Nga Siria në Somali, dhe nga Nepali në Nigeri, dëshmojmë për guximin e kolegëve tanë të cilët vënë jetën e tyre në rrezik për t’i ndihmuar njerëzit që kanë nevojë për ndihmë, madje duke sakrifikuar jetën e tyre për t’i ndihmuar të tjerët. Vullnetarët e lëvizjes, janë gjithandej në botë dhe në shërbim të secilit për të siguruar nevojat elementare për kategoritë më të prekura të njerëzve”, tha Velev.
Drejtori i ndërmarrjes publike, Posta e Maqedonisë, Faadis Rexhepi, tha se humanizmi dhe solidariteti nuk njohin kufij, sinonim i së cilës janë Kryqi i Kuq dhe Gjysmëhëna e Kuqe.
Ai shtoi më tej se secili njeri dhe institucion duhet të jetë i përkushtuar për sfidat të cilat kërkojnë humanitet, prandaj “të gjithë se bashku duhet të shpërndajmë buzëqeshje.”
“Posta e Maqedonisë me kapacitetet e saj edhe në të ardhmen do të qëndrojë pranë jush në mbështetjen e aktiviteteve humanitare. Emetimi i pullës postare dhe shpallja e Javës së Kryqit të Kuq në Maqedonisë, le të jetë një nxitje për ngjalljen e humanitetit te të gjithë ne”, tha Rexhepi, sipas të cilit mjetet financiare nga shitja e pullave postare në mbi 320 njësi postare, do t’i dedikohen Kryqit të Kuq të Maqedonisë.
Pulla postare ka vlerë nëntë denarë (0.15 euro cent) dhe është e botuar në 50 mijë ekzemplarë.