Shkup, nga vetura e therin me thikë një djalë në biçikletë

Shkup, 31 gusht – Shkupjani A.Sh. (32) mbrëmë, rreth orës 19, me thikë ishte goditur në shpinë nga personi A.S. nga Shkupi në bulevardin “8-të Shtatori”. Siç bëri të ditur sot MPB-ja, A.Sh. në orën 21:30 minuta, e kishte denoncuar rastin në Stacionin Policor të Karposhit. Mbrëmë A.Sh. me shokun e tij E.Sh. ngisnin biçikletë, ndërsa afër tyre ishte afruar vetura “Ford” me targa regjistrimi të panjohura, në të cilën gjendej A.S. dhe katër persona të panjohur. Përderisa vetura ishte në lëvizje, A.S. e kishte hapur dritaren dhe me thikë e kishte goditur A.Sh në shpinë, ndërsa e kishte goditur edhe shokun e tij. Policia ndërmori masa për zbardhjen e plotë të rastit.