Paratë të cilët nuk janë përdorur për blerjen e biçikletave, përfshi edhe ato për njerëz me aftësi të kufizuar, do të përdoren për blerjen e trotineteve elektrike. Qyteti i Shkupit do të mbulojë 50 për qind të blerjes së trotinetit, por jo më shumë se 10.000 denarë për person, duke përfshirë këtu tatimin mbi të ardhura personale
Remzije BILALLI
Shkup, 25 tetor – Qyteti i Shkupit këtë vit për herë të parë do të shpallë thirrje publike për subvencionimin e qytetarëve për blerjen e trotineteve elektrik. Autoritetet e qytetit kanë ndarë një milion denarë nga buxheti për këtë qëllim. Nga Qyteti i Shkupit theksuan se qëllimi i kësaj mase është të stimulojë qytetarët për përdorim masiv të trotineteve elektronik, shkruan gazeta KOHA.
Shuma maksimale e subvencioneve për blerjen e një trotineti elektrik për një person është përcaktuar të mbulojë 50 për qind të vlerës, por jo më shumë se 10.000 denarë për person, duke përfshirë këtu tatimin mbi të ardhurat personale. Kushtet për marrje janë të ngjashme me ato të biçikletave. Të drejtë në thirrje publike kanë banorët e Shkupit të cilët duhet të paraqesin kërkesë për kompensim, dëshmi për qëndrim në kryeqytet, kopje të letërnjoftimit dhe kopje nga llogaria bankare. Është e nevojshme të sigurohet dëshmia se është blerë trotinet i ri elektronik me anë të kopjes së faturës fiskale.
Fondet që Qyteti do ti ndajë për subvencione për blerjen e trotinetit elektronik janë fonde të cilat nuk janë përdorur nga buxheti për subvencione për biçikleta, më konkretisht subvencionet për biçikleta për personat me aftësi të kufizuara.
Qyteti i Shkupit gjatë vitit 2018 shpalli thirrje publike për subvencione për blerjen e biçikletave dhe biçikletave për njerëzit me nevoja të veçanta.
“Në pjesën për subvencionimin e biçikletave, Qyteti i Shkupit ka pranuar 3133 kërkesa, nga të cilat 3119 kërkesa janë pranuar dhe u janë dhënë subvencione, ndërsa në pjesën për subvencionet e biçikletave për njerëzit me nevoja të veçanta, interesi ishte më i dobët dhe një pjesë e fondeve të siguruara për këtë qëllim mbetën të papërdorura. Është planifikuar që në seancën e ardhshme të Këshillit të Qytetit të Shkupit fondet të përcillen për subvencionimin e trotineteve elektrik”, lajmëruan nga Sektori i Transportit të Qytetit të Shkupit.
Autoritetet e qytetit informojnë se ata vazhdimisht punojnë në përmirësimin e kushteve për përdorimin e mjeteve alternative të transportit. Të gjitha rindërtimet e rrugëve dhe bulevardeve, si dhe ndërtimi i rrugëve të reja në projektet e tyre parashikojnë rindërtimin ose ndërtimin e shtigjeve për biçikleta dhe këmbësorë.
Trotinetet elektronik po bëhen gjithnjë e më të popullarizuara në botë. Avantazhi i tyre është pesha e lehtë. Ata peshojnë nga 10 deri në 15 kilogramë dhe kanë fuqi dhe ngarkesa relativisht të lartë. Disa modele kanë shpejtësi deri në 35 kilometra në orë. Zhvillimi i teknologjisë u mundëson këtyre mjeteve alternative të transportit të kalojnë deri në 30 kilometra me vetëm një bateri të ngarkuar. (koha.mk)