Në kryeqytetin e Maqedonisë, Shkup, u organizua konferencë për media me rastin e Javës së Filmit Turk në Maqedoni e cila organizohet nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit e Turqisë dhe Shoqata e Mendimit Vendas, raporton Anadolu Agency (AA). Në konferencë morën pjesë kryekëshilltari i presidentit të Turiqsë, Yalçın Topçu, deputeti i Partisë për Zhvillim dhe Drejtësi (AKP), Metin Gündoğdu, ambasadorja e Turqisë në Shkup, Tülin Erkal Kara, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke në vend dhe shumë të ftuar.
Në fjalën e tij, kryekëshilltari presidencial Topçu tha se arti është urë që bashkësitë të njihen mes vete dhe se kinemaja do të sjellë më shumë kulturalizëm, paqe më të fortë, liri dhe siguri. Topçu theksoi se në vende të ndryshme të Maqedonisë do të shfaqen filma me regjisorë dhe aktorë të dalluar, duke shtuar se dy popujt mes vete kanë anë të përbashkëta dhe se në këto filma do të mund të shihen rrëfimet që dy popujt kanë ndarë përgjatë 500-600 viteve.
Në vazhdim të fjalës së tij, Topçu ka thënë se në demokracitë me cilësi të lartë, një opozitë përdor gjuhë të mirë dhe është në dobi të vetes, shtetit dhe popullit. Ai u shpreh se ndihet i pikëlluar për shkak të ndodhive në Maqedoni, siç e quajti, shtet mik, duke uruar që ngjarjet të zgjidhen me tolerancë, pajtim dhe me mirëkuptim të ndërsjellë.
Topçu potencoi se Maqedonia ka lidhje të vjetra historike dhe kulturore me Turqinë dhe marrëdhënie të mira sociale, politike dhe ekonomike. Ai vlerësoi se Maqedonia është faktor i paqes në rajon, duke shtuar se Turqia e sheh shtetin dhe popullin e Maqedonisë si çelësi i paqes në Ballkan. “Shohim dhe përcjellim që shteti i Maqedonisë po bën gjëra të mira për familjarët, bashkatdhetarët dhe njëfetarët tanë përsa i përket të drejtave dhe lirive individuale, dhe jemi të kënaqur me këtë fakt”, tha Topçu, duke theksuar më tej se mundësimi i të drejtave dhe lirive individuale bën që një shtet të ekzistojë përjetësisht dhe se edhe në Turqi të drejtat dhe liritë mundësohen deri në fund.
Topçu foli edhe për luftën e Turqisë kundër organizatave terroriste si PKK, PYD, YPG, DEASH dhe FETO, me ç’rast tha se FETO, krahas Ankarasë, paraqet problem për të gjitha kryeqytetet. Ai shtoi se në luftën kundër organizatave terroriste, Turqia dëshiron t’i ketë pranë partnerët strategjikë dhe vendet mike dhe se terrori i globalizuar nuk është problem vetëm për Ankaranë.
Topçu më tej tha se Turqia ka mbështetjen e Maqedonisë në luftën kundër organizatës terroriste FETO dhe kundër organizatave terroriste PKK, PYD dhe DEASH. “Jemi të kënaqur nga kjo dhe dëshirojmë që kjo të vazhdojë”, u shpreh Topçu. Nga ana tjetër, ambasadorja Kara vuri theksin mbi rëndësinë e promovimit të kulturës turke në Maqedoni.
Ajo tha se ka mësuar nga banorët e Maqedonisë së e mësojnë gjuhën turke nga filmat dhe telenovelat turke. “Shëtisim në qytete të ndryshme të Maqedonisë. Dje ishim në Gostivar dhe Pllasnicë dhe patëm mundësinë të njiheshim me një vajzë të huaj. Erdh dhe më përqafoi duke qarë dhe më tha që ta dërgonim në Turqi. E pyeta se çfarë e kishte shtyrë ta donte Turqinë, kurse ajo u përgjigj se kishte parë Turqinë nga telenovelat turke dhe kishte mbetur e apasionuar pas Turqisë”, theksoi Kara.
Duke u bërë thirrje regjisorëve turq të bëjnë rrëfime në këtë vend, Kara tha se gjurmët osmane ende vazhdojnë këtu dhe se ato nuk duhet harruar. Nga ana tjetër, regjisori Osman Sınav tha se me ardhjen në Ballkan është ndier së në shtëpinë e tij e cila i ka munguar. “Për këtë arsye jam i lumtur që kam ardhur këtu me një film që ka frymë ballkani”, vuri në dukje Sınav. Edhe aktorja Ayçin İnci u shpreh se ndihet e gëzuar që ndodhet këtu, duke theksuar se kinemaja është faktor bashkues si në fushën kulturore, ashtu edhe në atë të turizmit.