Shkup, 2 korrik – Drejtimet e mjekësisë edhe këtë vit mbeten në krye të preferencave nga semimaturantët. Ndihmësdrejtorët e dy shkollave profesionale të mjekësisë, “Pançe Karagjozov“dhe “Marija Kiri- Skllodovska”, për TVM2 shprehin brengosje që për shkak të mungesës së vendeve të lira, kanë qenë të detyruar të refuzojnë një numër të konsiderueshëm të nxënësve edhe pse i kanë plotësuar të gjitha kushtet për regjistrim. Në shkollën e mjekësisë “Pançe Kragjozov’, interesim më të madh ka pasur për drejtimin e infermierisë.
Për këtë drejtim janë refuzuar gjithsej 91 nxënës të shkëlqyeshëm, sqarojnë kompetentët. Ndihmësdrejtori i kësaj shkolle Sherif Selimi, kërkon që në vend të paraleles për përkujdesës të ketë paralele për infermierë sepse për këtë drejtim nxënësit kanë treguar interesim më të madh për regjistrim.
“Një paralele e kemi refuzuar ku ka nxënës me 74 pikë që është një pikë më pak se maksimumi dhe unë vlerësoj se këta nxënës janë të sinqertë, prindërit e tyre nuk kanë dashur tu përmirësohen notat. Notat e tyre janë reale dhe kam propozuar që paralelja për përkujdesës të hiqet dhe të zëvendësohet me infermierë dhe në këtë mënyrë të plotësojmë dëshirën e nxënësve të mirë për tu regjistruar” – tha Selimi.
Edhe ndihmësdrejtori i sh.m “Marija Kiri – Sklodovska”, Vedat Mustafa, thekson se këtë vit është dashur të refuzojnë një paralele të plotë për laborantë, drejtim për të cilin nxënësit shprehin po ashtu interesim tejet të madh.
“Kërkesën e kemi bërë në janar për paralele shtesë me 30 nxënës, sepse këtë vit është dashur të refuzojmë një paralele të plotë. Shpresojmë se vitet tjera do hasim në mirëkuptim dhe do ti analizojnë kërkesat tona sepse ne nuk kërkojmë çka na kujtohet neve, por e shohim se çka është në interes të nxënësve” – u shpreh Mustafa.