Shkup, 20 tetor – Nga Qendra për Shëndet Publik – Shkup informojnë se për tri ditë 2.000 qytetarë kanë marrë vaksina kundër gripit sezonal. Theksojnë se është i madh interesimi për vaksina kundër gripit sezonal. Sivjet, qendrat për shëndet publik i kanë në dispozicion rreth 30.000 vaksina, prej të cilave 5.000 janë për Shkupin. Vaksina i mbulon llojet e virusit të gripit të cilat qarkullojnë në hemisferën veriore, duke e përfshirë edhe rajonin evropian dhe Maqedoninë, është përgatitur në pajtim me rekomandimet e OBSH-së dhe mbron prej dy tipave të virusit të grupit A dhe një lloj virusi të grupit B, ndërsa prodhues është Abot nga Holanda, informojnë nga Ministria e Shëndetësisë. Vaksinimi është mbrojtja e vetme parandaluese kundër gripit dhe rekomandohet për personat mbi 65-vjeç, veçanërisht personat e sëmurë kronik, fëmijët e vegjël nën tre vjeç me imunitet të zvogëluar, punonjësit shëndetësorë, personat me sëmundje kardiovaskulare dhe respiratore, si dhe në përgjithësi personat me imunitet të ulur. Vaksina kundër gripit sezonal është joobligative dhe jepet në baza vullnetare. Vaksinimi kundër gripit sezonal kushton 400 denarë, si edhe viteve të kaluara.