Një burrë i lënduar rëndë me të djegura të shkallës së katërt, ndërsa 10 persona të helmuar nga tymi që ndodhi sot rreth orës 11:00 në një banesë në ndërtesën që gjendet në rrugën “Dimo Gavrovski Kara” në Tetovë. I lënduari rëndë është dërguar në Qendrën Klinike “Nëna Terezë” në Shkup.
“Nga Ndihma e Shpejtë na sollën 11 persona. Në repartin për sëmundje kirurgjike është dorëzuar një pacient me gjendje të rëndë shëndetësore me të djegura nga shkalla e katërt pas çka menjëherë ishte dërguar me automjet në Spitalin klinik në Tetovë me reanimatolog dhe teknik deri te qendra urgjente në Klinikat ‘Nëna Terezë’ në Shkup. Në repart të brendshëm janë pranuar gjashtë gra dhe katër burra me helmim inhalator nga tymi, në gjendje të lehtë. Pas terapisë simptomatike dhe observimit ishin lëshuar në mjekim shtëpiak”, deklaroi mjeku Boban Vuçeski mjek kujdestar në repartin intern pranë Spitalit klinik në Tetovë.
Sipas deklaratave të banorëve të ndërtesës para zjarrit ishte dëgjuar një shpërthim i fuqishëm për të cilin vlerësojnë se është nga bombola e gazit.
“Burri doli që të shohë se çka ndodhi, sikur të kishte rënë ashensori, kishte tym. U kthyem prapa. Bërtiste njeriu nga banesa, ne nuk e njohim, i tëri i djegur. Habiteshim se çka ndodhi, diçka e tmerrshme. E pamë se është bombolë gazi. Çdo lëvdatë për zjarrfikësit, se si reaguan”, tha një grua 60-vjeçare. Nga njësia zjarrfikëse e Tetovës informojnë se kishin intervenuar me 10 zjarrfikës dhe tre automjete.